Dikur i shpallur “Punëtor i Vitit”, tash në bankën e të akuzuarve: Hipokrizia e Faton Pecit dhe dështimi në Ministrinë e Bujqësisë

Dikur i shpallur “Punëtor i Vitit”, tash në bankën e të akuzuarve: Hipokrizia e Faton Pecit dhe dështimi në Ministrinë e Bujqësisë

Kohë më parë, ministri i Bujqësisë Faton Peci e kishte promovuar publikisht Bedri Dobrën si “punëtor i vitit”, duke e paraqitur si shembull të administratës profesionale dhe të ndershme. Sot, i njëjti zyrtar po ballafaqohet me aktakuzë, pas hetimeve për aferën e renovimeve në Ministrinë e Bujqësisë, shkruan Periskopi.

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe deklarim të rremë, në një skemë ku janë paguar dhjetëra mijëra euro për punë që nuk janë kryer, përfshirë edhe pagesa për mobilie që, sipas hetimeve, nuk kanë ekzistuar fare. Për të njëjtin rast, Dobra është shoqëruar edhe në polici nga Krimet Ekonomike.

Ky zhvillim i ri në Ministrinë e Bujqësisë, ngre pikëpyetje serioze për përgjegjësinë politike të ministrit Peci: a nuk e dinte kë po e lavdëronte, apo e dinte dhe heshti?

Rasti i sotëm hedh poshtë narrativën e ndërtuar nga ministria për profesionalizëm dhe meritë, duke ekspozuar standardet e rreme të vlerësimit në administratë dhe mungesën e llogaridhënies politike.

Krejt në fund, kujtojmë se Dobra ishte shoqëruar edhe më parë në polici kur Njësia kundër Krimeve Ekonomike e Policisë së Kosovës kishte zhvilluar një aksion në këtë ministri, e që lidhej me disa shkelje ligjore që ishin bërë aty. /Periskopi/

Shpërndaje në: