Latifi: Në Hagë po shkelen ligjet themelore të logjikës, të gjithë duhet të dalim në shesh

Latifi: Në Hagë po shkelen ligjet themelore të logjikës, të gjithë duhet të dalim në shesh

Profesori universitar, Blerim Latifi, bëri një përmbledhje të literaturës kryesore për forcat guerile në botë, aty ku bën pjesë edhe UÇK-ja. Por, sipas tij, në Gjykatën Speciale luftëtarët e kësaj guerileje po paraqiten ndryshe.

Latifi tha se forcat guerile zakonisht janë të armatosura keq dhe pa një strukturë të rregullt të komandës, që gjenden edhe te UÇK-ja, që tash po përshkruhet krejt ndryshe nga Prokuroria Speciale në Hagë.

”Krejt këto karakteristika i gjejmë në kryengritjen e UÇK-së, por sot në Gjykatën Speciale ajo po trajtohet si të ishte një ushtri e rregullt, e cila, sipas vetë konceptit të saj, është atribut i shteteve”, shkroi ai.

Sipas profesorit, me akuzat që po u bëhen sot ish-krerëve të UÇK-së dhe me përshkrimin e ngjarjeve të asaj kohe, po shkelen edhe parimet logjike.

”E aty ku s’ka logjikë, aty nuk mund të pritet të ketë edhe drejtësi. Në fakt, aty mund të vijë në shprehje vetëm ajo që Platoni e quante formën më të tmerrshme të padrejtësisë: padrejtësinë e bërë në emër të drejtësisë”, tha Latifi.

Në fund të reagim të tij, profesori Latifi kërkoi që më 17 shkurt të gjithë të dalin në sheshin ‘Skënderbeu’ për ta shprehur mbështetjen ndaj të akuzuarve në Hagë.

Shpërndaje në: