“Liria ka Emër” merr mbështetjen e Presidentes Osmani për marshin e 17 shkurtit
Përfaqësuesit e platformës qytetare “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha, Ismail Tasholli dhe Ridvan Emini, janë pritur sot në takim nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani. Në këtë takim u diskutua për organizimin e Marshit qytetar “Drejtësi, jo politikë”, i cili do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë.
Gjatë bisedës u theksua rëndësia e ruajtjes së parimeve të drejtësisë së paanshme, vlerat e luftës çlirimtare, si dhe përgjegjësia institucionale e shoqërore për kultivimin e kujtesës historike tek brezat e rinj.
Presidentja Osmani shprehu mbështetjen e saj për këtë marsh, duke nënvizuar rëndësinë e mbrojtjes së vlerave kombëtare.
“E mbështes këtë iniciativë qytetare. Vlerat kombëtare dhe ato të luftës për liri duhet t’i mbrojmë dhe t’ua përcjellim brezave të rinj si pjesë të krenarisë sonë kolektive,” deklaroi Presidentja Vjosa Osmani.
Nga ana e saj, Eliza Hoxha tha se mbështetja institucionale dhe shoqërore që po merr ky marsh dëshmon karakterin e tij qytetar dhe gjithëpërfshirës.
“Ky marsh është një thirrje për respektimin e drejtësisë së paanshme dhe për ruajtjen e dinjitetit të historisë sonë. Kur institucionet dhe qytetarët flasin me një zë për drejtësi, mesazhi bëhet më i fuqishëm,” u shpreh Hoxha.
Ndërkohë, Ismail Tasholli theksoi se 17 Shkurti përfaqëson një moment që bashkon qytetarët rreth vlerave themelore të shtetit.
“Ne besojmë se drejtësia duhet të jetë e ndarë nga politika dhe në shërbim të së vërtetës. Më 17 shkurt, qytetarët do të japin një mesazh të qartë për unitet, dinjitet dhe respekt për sakrificën e lirisë,” deklaroi Tasholli.
Platforma “Liria ka Emër” falënderoi Presidenten e Republikës për pritjen dhe mbështetjen, duke i ftuar qytetarët që më 17 shkurt, në Ditën e Pavarësisë, të bashkohen në Prishtinë për marshin me moton: “Drejtësi, jo politikë”.



