Konstituimi i Kuvendit: KDI pret proces legjislativ më cilësor
KDI ka përgëzuar Kuvendin e Kosovës dhe deputetët e legjislaturës së dhjetë për përmbylljen e seancës konstituive dhe zgjedhjen e Kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, si dhe pesë nënkryetarëve, pas një periudhe të zgjatur të krizës institucionale. Funksionalizimi i plotë i institucionit më të lartë përfaqësues përbën një hap të rëndësishëm drejt stabilitetit demokratik dhe rikthimit të normalitetit institucional.
Siç thotë në një njoftim, kjo organizatë, Kuvendi mbetet shtylla qendrore e përfaqësimit qytetar, ligjvënies dhe mbikëqyrjes demokratike. Në këtë legjislaturë të re, presim që të forcohet roli kushtetues i Kuvendit, të rritet cilësia e procesit legjislativ dhe të sigurohet transparencë më e madhe në vendimmarrje.
“Veçanërisht, presim rikthimin dhe fuqizimin e funksionit mbikëqyrës të Kuvendit, përfshirjen reale të qytetarëve dhe të shoqërisë civile në procesin legjislativ, si dhe trajtimin me prioritet të reformave të mbetura pezull gjatë periudhës së krizës”.
“Rikthimi i besimit qytetar në institucionet përfaqësuese kërkon përgjegjësi, integritet dhe dialog politik. KDI do të vazhdojë të monitorojë dhe të kontribuojë në forcimin e standardeve demokratike dhe të funksionimit parlamentar”.



