Tronditëse në Francë: Trupat e dy foshnjave zbulohen në një frigorifer, arrestohet një grua

Tronditëse në Francë: Trupat e dy foshnjave zbulohen në një frigorifer, arrestohet një grua

Një grua rreth të pesëdhjetave, e dyshuar për vrasjen e dy të porsalindurve në Haute-Saone në Francë pas zbulimit të trupave të dy foshnjave, u arrestua të mërkurën në Boulogne-Billancourt (Hauts-de-Seine), mësoi AFP nga burime pranë çështjes.

Sipas një burimi të AFP-së, një burrë kontaktoi xhandarmërinë të martën pasi kishte zbuluar trupin e një të porsalinduri në një frigorifer në shtëpinë e tij në Aillevillers-et-Lyaumont, një komunë në Haute-Saone në skaj të Vosges.

Në vendngjarje, xhandarmëria më pas gjeti trupin e një foshnje të dytë.

Sipas të dhënave të para të hetimit, dyshimet fokusohen te nëna, e cila kishte lënë shtëpinë pa paralajmërim.

Ajo u arrestua të mërkurën rreth orës 01:00 në Boulogne-Billancourt, në rajonin e Parisit. Sipas një burimi tjetër, aty jeton njëri nga djemtë e gruas.

Ajo është tashmë nënë e nëntë fëmijëve gjithsej, nga dy martesa.

Në Aillevillers-et-Lyaumont, shiritat e sigurisë ishin të dukshme në roletat e një banese njëkatëshe me ngjyrë të çelur dhe me portë të hapur, vuri re një fotograf i AFP-së.

Kryetari i komunës Aillevillers-et-Lyaumont, Jean-Claude Tramesel, shpjegoi për AFP se policia e kishte kontaktuar për t’i thënë se do të bllokonin rrugën të martën nga ora 18:00 dhe gjatë gjithë natës.

Ai shprehu “tronditjen” pasi mësoi se kishin zbuluar trupat.

“Ky është një fshat i vogël me 1.500 banorë. Gjithmonë mendojmë se këto gjëra ndodhin në shtëpitë e të tjerëve… Jemi të shtangur”, komentoi ai.

Për çiftin, Tramesel shpjegoi se “janë njerëz që jetojnë në komunë prej rreth njëzet vjetësh, por që nuk punojnë këtu. Janë njerëz që nuk bëjnë zhurmë”.

Hetimi po kryhet bashkërisht nga Brigada e Kërkimeve në Lure dhe Seksioni i Kërkimeve në Besançon.

Duke pasur parasysh natyrën kriminale të fakteve, prokuroria e Vesoul hoqi dorë nga kompetenca të enjten, duke ia kaluar çështjen prokurorisë së Besançon.

Shpërndaje në: