Studentët e UP-së kërkojnë drejtësi të barabartë për ish-pjesëtarët e UÇK-së para Zyrave të BE
Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës ka organizuar sot një aktivitet para Zyrave të Bashkimit Evropian për të paraqitur qëndrimin publik lidhur me gjyqin ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së në Hagë.
Aktiviteti u zhvillua në kontekstin e shqetësimeve të studentëve për mënyrën se si po zhvillohen proceset gjyqësore ndaj krerëve të ish-UÇK-së, ku gjatë kësaj jave po zhvillohen fjalët përfundimtare.
Përfaqësuesi i Parlamentit Studentor, Donart Humolli, tha se studentët e Universitetit të Prishtinës, së bashku me organizatat e tjera studentore, e kuptojnë kompleksitetin e drejtësisë dhe rëndësinë e sundimit të ligjit si themel i Bashkimit Evropian.
“Sot jemi këtu si studentë të Universitetit të Prishtinës, së bashku me Parlamentin Studentor dhe të gjitha organizatat studentore, në një ditë me domethënie për institucionin tonë, por edhe për shoqërinë tonë. Universiteti i Prishtinës ka qenë historikisht një hapësirë e dijes, e përgjegjësisë qytetare dhe e qëndrimit për vlera. Ne e kuptojmë se drejtësia është një proces kompleks, sidomos kur bëhet fjalë për plagë të mëdha historike. Ne po ashtu e kuptojmë se sundimi i ligjit është një prej themeleve të Bashkimit Evropian, dhe se besimi në drejtësi është kusht për paqe dhe stabilitet afatgjatë”, tha ai.
Humolli theksoi se studentët nuk kërkojnë trajtim të veçantë për ish-pjesëtarët e UÇK-së, por drejtësi të barabartë, transparente dhe të bazuar në prova.
“Megjithatë, sot duam ta shprehim qartë një shqetësim që është i pranishëm te shumë qytetarë të Kosovës: perceptimi se proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, po shoqërohen me standarde të pabarabarta, me zvarritje dhe me një mungesë të ndjeshmërisë ndaj kontekstit historik të luftës në Kosovë. UÇK-ja ishte përgjigje e një populli ndaj shtypjes dhe dhunës sistematike. Prandaj, çdo trajtim i kësaj historie kërkon përgjegjësi, kujdes dhe drejtësi që nuk lë vend për dyshim. Ne nuk kërkojmë asnjë trajtim të veçantë dhe asnjë anashkalim të drejtësisë. Kërkojmë vetëm një drejtësi që është e barabartë, transparente dhe e bazuar në prova! Kosova ka qenë dhe mbetet e përkushtuar ndaj orientimit euroatlantik. Por ky orientim nuk mund të ndërtohet vetëm mbi marrëveshje politike; ai duhet të ndërtohet mbi besim, mbi respekt dhe mbi vlera të njëjta për të gjithë”, tha ai.
Ai gjithashtu bëri thirrje për forcimin e besimit në drejtësi nga Bashkimi Evropian dhe për shmangien e çdo perceptimi që drejtësia mund të shihet si selektive.
“Sot, nga ky vend, ne i bëjmë thirrje Bashkimit Evropian që të kontribuojë në forcimin e besimit në drejtësi dhe në shmangien e çdo perceptimi që drejtësia mund të shihet si selektive”.
“Ne si studentë duam një të ardhme evropiane, por duam edhe një drejtësi që e forcon paqen dhe dinjitetin e një populli që ka kaluar nëpër sakrifica. Prandaj, nga këtu shfrytëzojmë rastin t’u bëjmë thirrje të gjithë studentëve, por jo vetëm, që t’i përgjigjen pozitivisht ftesës për protestën e datës 17 Shkurt, me fillim nga ora 14:00: DREJTËSI, JO POLITIKË! Sepse historia nuk rishkruhet. Sepse drejtësia është detyrim, jo zgjedhje. Dhe sepse durimi i qytetarëve të Kosovës nuk është i pafund”, tha ai.



