Ylli i Austrisë u dënua nga UEFA për sharjen e shqiptarëve
Marko Arnautoviq është futbollisti me më së shumti paraqitje dhe më së shumti gola për Përfaqësuesen e Austrisë. 36-vjeçari i ka plot 130 ndeshje dhe 47 gola për Austrinë, tek e cila përfaqësuese vazhdon të jetë prej lojtarëve kryesorë.
Arnautoviq e ka babain serb dhe aktualisht luan për Cërvena Zvezdën e Beogradit. Dhe ka qëndrim anti-shqiptar.
Ai ishte dënuar nga UEFA në vitin 2021 për fyerje të shqiptarëve. Ishte dënuar me një ndeshje moslojë.
Bëhet fjalë për një incident që ndodhi në Euro 2020, të mbajtur në vitin 2021 për shkak të koronavirusit.
Në ndeshjen e parë të fazës grupore, Austria kishte fituar 3:1 ndaj Maqedonisë së Veriut.
Në minutën e 89-të për Austrinë kishte shënuar Arnautoviqi. Ai realizoi për 3:1, raporton Koha.net, transmeton Periskopi.
Pas golit erdhi te një përplasje e Arnautiviqit me dy prej shqiptarëve të Maqedonisë, Ezgjan Alioskin dhe Egzon Bejtullain. Mbrojtësi Bejtullai tani luan për Dritën dhe ka treguar të premten për incidentin.
“Më shumë ishte i përfshirë Alioski, por edhe unë isha aty. Erdhi te një incident dhe ai është parë duke sharë nënën shqiptare. Sharjen e ka bërê në gjuhën serbe. Për këtë edhe ishte dënuar nga UEFA”, ka thënë Bejtullai.
Ai ka treguar se nuk i kanë mbetur borxh provokuesit me prejardhje serbe, që gjatë karrierës ka pasur dëshirë të njihet si “djalë i fortë”. Edhe shqiptarët që ishin në fushë e shanë atë.
Bejtullai 32-vjeçar, i ka luajtur 27 ndeshje për Maqedoninë e Veriut. Paraqitja në Evropian është prej momenteve kulmore në karrierën e tij.
Pas incidentit, Arnautoviq kishte kërkuar falje.
“Ishin disa fjalë urryese në emocionet e ndeshjes, për të cilat dua të kërkoj falje, sidomos shokëve të mi nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria”, kishte shkruar Arnautoviq. Ai kishte shkruar se nuk është racist.
Megjjthatë Bejtullai dhe shqiptarët tjerë të Maqedonisë së Veriut që ishin në Euro 2020 e dinë fytyrën e vërtetë të Arnautoviqit.
Ai pritet të jetë pjesë e Austrisë në vjeshtë në dy ndeshjet me Kosovën, që i takojnë edicionit të ri të Ligës së Kombeve.
Bejtullai vlerëson se Kosova ka gjasa të mira në Grupin B3, ku janë edhe Izraeli dhe Irlanda. Madje thotë se Kosova ka gjasa të mëdha për sukses edhe në ndeshjet me Austrinë.
Fokusi i “Dardanëve” vazhdon të jetë te ndeshja e 26 marsit me Sllovakinë, që i takon gjysmëfinales së plejofit për kualifikim në Botëror.
“Mendoj se Kosova ka gjasa shumë të mira ndaj Sllovakisë. Madje e vlerësoj favorite. Në ndeshjet e kaluara Kosova ka shfaqur nivel vërtetë të lartë”, ka thënë Bejtullai./Periskopi



