Ish-këshilltari i Thaçit: Orët e prokurorisë, janë orët më të zeza të saj
Procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë të hënën hyri në fazën e fjalëve përfundimtare, duke shënuar një nga momentet më vendimtare të këtij gjykimi mbi pesë vjeçar para Dhomat e Specializuara të Kosovës, e ku këresa e Kryeprokurores Kimberly Ëest që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të dënohen me 45 vjet burgim nxiti reagime të madhe, duke e konsdieruar edhe të padrejtë përveçse skandaloz.
Ish-këshilltari i ish-presidentit Hashim Thaçi, Ismail Syla, në një intervistë për Ekonomia Online, tha se kërkesa e Prokruorisë mund të jetë një paralajmërim i Gjykatës së mund të ketë shqiptim të dnëimit me burgim të përjetshëm.
“Orët e prokurorisë, janë orët më të zeza të saj, një paralajmërim i kësaj gjykate se mund të ketë edhe, domethënë shqiptime dënimesh drastike deri edhe me burgim të përjetshëm. Kjo është thënë që në fillimet e saj kur Trendafilova sa herë që ka ardhë në Prishtinë. Njëra nga arsyet sepse ata njerëz nuk mund ta mbrojnë, nuk mund të qëndrojnë në burg shtëpiak, ishte edhe kjo arsye, se mund të ballafaqohen me një burgim të përjetshëm. Dhe kjo është krejt në logjikën e skenarit të saj. Sepse skenari i saj, dhe që është duke u pasqyruar, faktikisht është i ndërtuar në mënyrë teorike në atë mënyrë që ty ta merr mendja që vërtet ka ndodh një ndërmarrje e përbashkët kriminale aq e përkryer, sa që kjo është një realitet i plotë për ta. Por në të vërtetë, aty është një defekt i madh. Sepse një aktakuzë mund të ndërtohet mbi një teori të tillë, mbi një, si të them, konstrukte të tilla që të duken ty juridikisht të qëndrueshme, por faktikisht substancë reale, që të hyjnë, që e kanë dhënë ose e prodhojnë këtë kategori këtë kategori të lartë të njerëzve të UÇK-së, nuk përputhet, domethënë puna themelore. Domethënë, akti i kryer, urdhërdhënia, ekzekutimi, dëshmia që këta njerëz janë drejtpërdrejt të përfshirë në krimet për të cilat sot ata po akuzohen, është aq e paqëndrueshme me teorinë e prokurorëve, sa që vërtet është paradoks i një modeli të drejtësisë e cila po po përpiqet të bëhet në njëfarë mënyre një paradigmë e keqe e gjoja se zbardhjes së drejtësisë”, tha ai.
Ai deklaroi se e gjitha procesi është ndërtuar mbi burime të dyshimta dhe shtoi se, sipas tij, në gjykata të tjera ndërkombëtare raste të tilla mund të mos kalonin në shqyrtim.
Syla po ashtu vlerësoi se ekziston mospërputhje mes dënimeve të shqiptuara nga gjykata të ndryshme ndërkombëtare për vepra të ngjashme.
“Kjo lëndë, kjo lëndë konkrete e cila tash hyn në vitin e gjashtë të burgosjes së tyre, dhe kjo lëndë e grumbulluar nga burimet nga më të dyshimtë, prej llumit njerëzor që ka edhe bota shqiptare, edhe që ka domethënë shteti serb dhe shtetet armiqësore të Kosovës, edhe të kombit tonë, dhe konkretisht atyre që përpiqen ta asgjësojnë trashëgiminë politike të UÇK-së, po të ishte në kuadër të gjykatës ndërkombëtare të Hagës, aty ku është gjykuar zoti Fatmir Limaj dhe zoti Ramush Haradinaj, kjo lëndë as që do të hynte në shqyrtim. Kjo domethënë është vetëm kjo gjykatë, që gjoja është e Kosovës, që as më së paku nuk është e Kosovës. Vetëm kjo mund të kërkojë dënime të tilla. Po e marr vetëm këtë krahasim, për pengim në drejtësi, gjykata ndërkombëtare gazetarin Bajrush Morina e ka dënuar 3 muaj ditë, Baton Haxhiun e ka dënuar me pare. Për të njëjtin veprim, nëse është i vërtetë, Nasim Haradinaj është dënuar 4 vjet e gjysmë me Gucatin. Domethënë këtu e sheh çfarë diskrepance ka midis shqiptimeve të dënimeve që i ka bërë një gjykatë serioze ndërkombëtare e njohur, me selinë në Hagë, dhe një gjykatë e cila e ka marrë gjoja aprovimin e Kosovës dhe sot manovron, operon pa kurrfarë kontrolli. Ajo nuk i jep llogari askujt, as nuk i njeh simbolet e shtetit tonë, edhe kjo gjykatë është gjykatë aq private, aq gjykatë e pakontrollueshme, sa kjo mund të shqiptojë edhe 100 vjet dënim për një njeri, se lëre më 45 që për ta duket sikur me fol një 45 sekonda”, tha ai.
Sipas tij, përgjegjësia penale ndaj ish-krerëve të UÇK-së është ndërtuar mbi konceptin e ndërmarrjes së përbashkët kriminale, duke shtuar se kjo, sipas vlerësimit të tij, i ngarkon ata me përgjegjësi të përgjithshme për ngjarje të periudhës së luftës.
“Do të thotë është ana më absurde e kësaj gjykate e cila që nga momenti kur ka ra raporti i Dick Marty-t, kjo gjykatë është dashtë të mbyllet edhe të mos ekzistojë, dhe ata njerëz të kthehen në Kosovë. Sepse për shumicën e gjërave që atyre iu ngarkohet, në Kosovë janë kryer gjykime të tilla. Nuk është Kosova që s’ka dënuar, domethënë njerëz të cilët kanë mujt me bë një, domethënë veprim, jo të duhur në rrethana lufte. Por, liderët që janë aktualisht nuk është prodhuar asnjë fakt që ata kanë bërë konkretisht. Në mënyrë gjeneralizuese është ndërtuar kjo ndërmarrja e përbashkët kriminale, dhe kjo logjika e përgjegjësisë së tyre që: “nëse s’e kanë bërë, është dashtë me ditë me parandalu”; “Nëse s’e kanë bërë domethënë, e dinë kush e ka bërë”; “Nëse s’e kanë pa, është dashtë me pa”; “Nëse s’e kanë dëgju, është dashtë të dëgjojnë.” I bie sikur këta njerëz, këta 4 njerëz, të jenë përgjegjës për të gjitha krimet, për të gjitha shkeljet, për të gjitha parregullsitë e një periudhe 2-vjeçare në Kosovë. Kjo vërtet është diçka që nuk mund të konceptohet në kuptimin e një gjykate. Unë shpresoj që këta gjykatës të cilët, me të vërtetë kanë treguar një bashkëpunim kështu shumë të mirë me prokurorët, por unë them që në momentin e fundit e vëjnë gishtin në kokë dhe nuk bijnë viktimë e këtij skenari kaq të përgatitur mirë për t’i dënuar këta njerëz me kaq shumë vite burg”, tha ai.
Syla shtoi se pavarësisht se prokurorët këmbëngulin në misionin e tyre, ata nuk mund ti zbehen deklaratat e figurave ndërkombëtare që, sipas tij, kanë vlerësuar rolin dhe sakrificën e pjesëtarëve të UÇK-së në luftë.
“Këta prokurorët megjithatë këmbëngulin, a din, në atë misionin e tyre dhe ndoshta ajo detyra themelore është me argumentuar edhe domethënë gjithë ato pafund dokumente. Rreth 2 milionë fletë për shembull janë nëpër duart e kësaj gjykate që është përpjekur me të vënë gjithçka, domethënë ka gjuajtur gur e dru që thonë mbi njerëzit e UÇK-së. Dhe do të thotë faktikisht kjo nuk mund të asgjësohen deklaratat e njerëzve aq të rëndësishëm siç ishte deklarata e Christopher Hill-it, ambasadorit që i ka njohur aq mirë rajonin dhe i ka parë me sytë e tij, edhe sidomos i zotit Clark, që ishin ndër ato deklaratat më të fuqishme për të treguar se vërtet këta njerëz kanë qenë njerëz që e kanë rrezikuar kokën, kanë rrezikuar familjet e tyre, kanë luftuar për atdheun e vet”, tha ai.
Ai shtoi se dy minutëshi i Clark-ut në këtë proces, sipas tij, është ndër momentet më domethënëse, pasi thekson se luftërat çlirimtare, sipas këtij këndvështrimi, shpesh etiketohen si terrorizëm apo kriminalitet nga kundërshtarët, por në fund, sipas tij, historia anon nga ata që luftojnë për çlirimin e vendit të tyre.
“Dhe dy minutëshi i Clark-ut është dy minutëshi më i artë i kësaj gjykate, ku tregoi jo vetëm atyre krerëve që janë atje, por kudo që ka njerëz që kanë ambicie me çliruar vendin e vet ose me bërë luftëra çlirimtare, nuk duhet t’i frikësohen asnjë gjykate. Sepse në fund të fundit, kundërshtarët të quajnë ty terrorist, të quajnë kriminel, po faktikisht njerëzit të cilët kanë luftuar dhe luftojnë për atdheun e tyre, për popullin e tyre, që nuk bëjnë luftëra agresive po luftëra çlirimtare, herë do kur historia është me ta”, tha ai.
Syla tha se në rast të dënimit, sipas tij, kjo do të konsiderohej si një nga momentet më të rënda për drejtësinë, duke shtuar se pret që vendimi të bazohet vetëm në prova dhe pa ndikime politike.
“Po do të ishte faqja më e errët, më e zezë e drejtësisë së quajtur, ndaq kosovare, ndaq ndërkombëtare e kësaj natyre. Po do të thotë kjo do të ishte modeli më i keq i një gjykate në qoftë se do ta bënte dënimin e këtyre njerëzve për të cilët faktikisht asnjë e dhënë konkrete e veprimeve të tyre deri tash nuk është vërtetuar. Kjo është domethënë shembulli më i keq. Dhe faktikisht ndërtimi i kësaj aktakuze është i tillë sa nëse dënohet njëri, dënohen të gjithë. Ndërmarrja e përbashkët kriminale ka këtë karakter, që nuk jam domethënë njeri që mendoj se dikush do të dënohet e dikush s’do të dënohet; ose do të lirohen të gjithë, ose do të dënohen të gjithë. Po dënimi i njerëzve mbi këto mal-shpifje, mbi dokumente që janë pranuar nga gjykata edhe ato burime që kanë qenë serbe, pastaj deklaratat e ndryshme të cilat janë dhënë për arsye dhe motive të ulëta, për arsye që njerëzit domethënë kanë shprehur hakmarrje private ose për të marrë letra me azil në botën e jashtme, të gjitha ato do të ishin veprim më së paku profesional, më së paku njerëzor, më së paku domethënë që i kontribuon zbardhjes së drejtësisë. Do të ishte lëndimi më i madh që do t’i bëhej Kosovës, që do t’i bëhej njerëzve të cilët kanë bërë thelbin e çlirimit, të lirisë dhe të pavarësisë. Do të ishte ndëshkimi më i madh që i bëhet qenies biologjike, qenies historike, qenies politike dhe qenies kombëtare shqiptare”, tha ai.
Ai tha se ende beson në deklarimet e mëhershme të krerëve të UÇK-së se i besojnë drejtësisë, por vetëm në rast se nuk ka ndërhyrje politike në proces. Sipas tij, të akuzuarit e konsiderojnë veten të pafajshëm dhe, sipas kësaj logjike, do të duhej të liroheshin.
“Po unë ende besoj në atë që vazhdimisht kanë thënë krerët e UÇK-së, se ne i besojmë drejtësisë, ne i besojmë vetëm të mos ketë ndërhyrje politike, sepse ata janë njerëz të cilët nuk e ndjejnë veten të fajshëm, e ndjejnë veten të pafajshëm dhe sipas kësaj logjike ata do të duhej të liroheshin. Dhe ky pesëvjeçare do të ishte një sakrificë e panevojshme e njerëzve për t’u ndriçuar kapitulli i fundit i kësaj sakrifice. Se sakrificë e madhe është domethënë çështja që ata të jenë atje pesë vjet, të jenë të mbyllur, të shkëputur nga jeta institucionale, nga jeta familjare, nga jeta e përditshme, mbi një aktakuzë që është një konstruksion i vërtetë i ndytë, i çarqeve antishqiptare, qoftë burime qoftë domethënë në botën tonë në Kosovë, qoftë që vijnë nga Beogradi, e qoftë nga shtetet të tjerë armiqësorë të cilët nuk e duan të mirën e kombit tonë”, tha ai.
Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në bazë të aktakuzës së ZPS-së, e publikuar në shkurt të vitit 2023, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me rreth 100 vrasje, pastaj për tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës 1998-1999.
ZPS-ja pretendon se kryen ndërmarrje të përbashkët kriminale që ndërlidhet me gjashtë akuza për krime lufte: Përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme, zhdukje me dhunë, si dhe katër akuza për krime kundër njerëzimit, përfshirë këtu arrestim dhe ndalim i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme. Shumica e viktimave të krimeve, sipas ZPS-së, janë shqiptarë, civilë dhe pjesëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Sipas ZPS-së, të akuzuarit kanë qenë në dijeni apo është dashur të jenë në dijeni shkaku i pozitave udhëheqëse në Shtab të Përgjithshëm, lidhur me pretendimet për krimet që janë kryer dhe kanë pasur qëllim që ta marrin pushtetin në Kosovë përmes tyre. Ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. Ata kanë thënë se UÇK-ja nuk kishte hierarki të tillë, meqë peshën e kishin komandantët e zonave dhe se kishte për qëllim ta luftonte Serbinë e jo civilët.



