Skandal në San Siro, Kalulu i përjashtuar pa arsye – ekspertët e VAR: Gabim i madh
Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “San Siro” mes Interit dhe Juventusit u përshkua nga polemika pas kartonit të kuq të marrë nga mbrojtësi i Juventusit, Pierre Kalulu. Ekspertët e gjykimit italian e kanë cilësuar vendimin si një “gabim shumë serioz”.
Sipas Luca Marelli dhe Graziano Cesari, kartoni i dytë i verdhë i dhënë Kalulut ishte i pabazuar, ndërsa në situatë të ngjashme mund të kishte qenë i merituar një karton për Alessandro Bastoni, për simulim. Megjithatë, protokolli i VAR-it nuk lejon ndërhyrje në rastet e kartonëve të dytë të verdhë, duke e bërë vendimin përfundimtar.
Incidenti ndodhi pak para fundit të pjesës së parë, kur Kalulu – i paralajmëruar më parë me karton të verdhë – ndërpreu rrugën e Bastonit. Gjyqtari Federico La Penna reagoi duke i dhënë kartonin e dytë të verdhë Kalulut, ndërsa mbrojtësi i Juventusit u largua nga fusha i habitur. Përpjekjet e Kalulut për të tërhequr vëmendjen e VAR-it nuk patën efekt, pasi rregullorja nuk lejon ndërhyrje për këtë rast.
Analiza e Marellit për DAZN ishte e qartë:
“Është një gabim shumë serioz, por VAR nuk mund të ndërhyjë për kartonët e dytë të verdhë. Nuk ka asnjë kontakt mes Kalulu dhe Bastonit.”
Ndërsa Cesari, gjatë transmetimit në Sport Mediaset, ishte edhe më kritik:
“Kartoni i dytë i verdhë nuk ekziston. Lojtarët ndahen nga distanca, është një gafë totale e gjyqtarit. Në fakt, Bastoni shpëton nga një karton i mundshëm për simulim.”
Raportimet gjithashtu tregojnë se trajneri i Interit, Cristian Chivu, e zëvendësoi Bastonin në pushimin mes pjesëve, duke marrë parasysh rrezikun e një kartoni të dytë.
Sjellja e Bastonit pas incidentit u komentua gjithashtu, pasi ai u pa duke festuar pas shpinës së Kalulut, një moment që u konsiderua si mungesë sportive në një ndeshje kaq të tensionuar. /Periskopi/



