Rrjeti i Grave Gazetare reagon ndaj vendimit të RTK-së për mosvazhdimin e kontratave të dy gazetareve
Rrjeti i Grave Gazetare të Kosovës ka shprehur shqetësim të thellë pas vendimit të menaxhmentit të Radio Televizioni i Kosovës për të mos vazhduar kontratat e punës së gazetareve Hana Marteti dhe Edina Avdiu.
Sipas reagimit, mosvazhdimi i kontratave është bërë pa një proces të qartë e transparent dhe pa asnjë vërejtje profesionale apo disiplinore gjatë tre viteve të punës së tyre. Rrjeti vlerëson se një qasje e tillë përmban elemente ndëshkuese dhe krijon klimë pasigurie për gratë në media, të cilat përballen me trysni profesionale dhe paragjykime gjinore.
Organizata thekson se rasti rëndohet edhe më tej nga fakti se njëra prej gazetareve, Edina Avdiu, ndodhet në periudhë shtatzënie.
Rrjeti i Grave Gazetare ka shprehur solidaritet me dy gazetaret dhe ka kërkuar transparencë të menjëhershme nga menaxhmenti i RTK-së për arsyetimin e vendimit, duke paralajmëruar mbështetje institucionale dhe ligjore për ta sfiduar atë.



