Takimi Osmani-Rama: Koodinimi politik, Bordi i Paqes dhe politika e jashtme temë diskutimi
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, me të cilin diskutoi për forcimin e marrëdhënieve ndërshtetërore dhe zhvillimet rajonale, duke theksuar koordinimin e ngushtë politik e institucional dhe intensifikimin e bashkëpunimit në politikën e jashtme në funksion të interesave të përbashkëta strategjike.
Të dy liderët vlerësuan koordinimin Kosovë–Shqipëri si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, si dhe rolin e tyre konstruktiv në nisma ndërkombëtare, përfshirë angazhimin në Bordin e Paqes, ku u theksua se të dyja shtetet janë të nderuara me ftesën nga Presidenti Donald Trump.
“Në fokus të takimit ishin, para së gjithash, koordinimi i ngushtë politik dhe institucional, si dhe përkushtimi i ndërsjellë për intensifikimin e bashkëpunimit në politikën e jashtme, në funksion të avancimit të interesave të përbashkëta strategjike.Të dy liderët theksuan rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm Kosovë–Shqipëri si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, si dhe rolin konstruktiv të të dyja shteteve në nisma ndërkombëtare që promovojnë paqen dhe bashkëpunimin”, thuhet fillimisht në komunikatë
“Gjatë takimit u diskutua edhe për bashkëpunimin në kuadër të Bordit të Paqes, duke u theksuar rëndësia e angazhimit të përbashkët në iniciativa globale që promovojnë dialogun, sigurinë dhe vlerat demokratike. Në këtë kontekst, u nënvizua se Kosova dhe Shqipëria janë të nderuara me ftesën nga Presidenti Donald Trump në Bordin e Paqes, si dëshmi e respektit dhe partneritetit me aleatët strategjikë. Presidentja Osmani dhe Kryeministri Rama riafirmuan vullnetin e tyre për thellimin e bashkëpunimit vëllazëror ndërmjet dy shteteve, duke vënë theksin në partneritetin ekonomik, zhvillimin e projekteve të përbashkëta dhe krijimin e mundësive konkrete që ndikojnë drejtpërdrejt në afrimin dhe mirëqenien e qytetarëve të të dy vendeve”.



