Raportohet për mbi 50 aeroplanë luftarakë amerikanë drejt Lindjes së Mesme për 24 orë
Ushtria amerikane ka lëvizur dhjetëra aeroplanë luftarakë drejt Lindjes së Mesme gjatë 24 orëve të fundit, sipas të dhënave me burim të hapur për përcjelljen e fluturimeve.
Ky zhvillim vjen në kohën kur Shtetet e Bashkuara dhe Irani e zhvilluan rundin e dytë të bisedimeve në Zvicër rreth programit bërthamor të Teheranit, shkruan gazeta “The Times of Israel”.
Në mesin e aeroplanëve që janë zhvendosur përfshihen ata të tipave F-22, F-35 dhe F-16. Në lëvizje janë vërejtur edhe disa aeroplanë për rimbushje me karburant, sipas disa llogarive në rrjete sociale që u kushtohen përcjelljes së fluturimeve ushtarake.
Një zyrtar amerikan gjithashtu i konfirmoi mediumit amerikan “Axios” se më shumë se 50 aeroplanë luftarakë janë zhvendosur në rajon gjatë 24 orëve të fundit.
Negociatorët u mblodhën në Gjenevë në kohën e një grumbullimi domethënës ushtarak të forcave amerikane në rajon. Presidenti amerikan, Donald Trump, disa herë ka kërcënuar me përdorimin e forcës ushtarake kundër Iranit, fillimisht për shkak të shtypjes vdekjeprurëse të protestave e më pas për shkak të programit bërthamor të Teheranit.
Ministri i Jashtëm i Iranit tha të martën se vendi i tij dhe Shtetet e Bashkuara u pajtuan në bisedime për “parimet udhëzuese”, por se kjo nuk do të thotë se marrëveshja është afër.



