Liga e Kampionëve ndez skenën edhe sonte, mbrëmje me katër ndeshje të zjarrta
Sot (e mërkurë) zhvillohen disa nga përballjet më të forta të fazës eliminatore apo play-off, ku favoritët kërkojnë siguri, ndërsa “outsiderët” ëndërrojnë befasinë.
Mbrëmja e sotme në Ligën e Kampionëve sjell emocione të forta dhe ndeshje me peshë të madhe për vazhdimësinë e garës. Çdo gol dhe çdo detaj mund të jetë vendimtar për fatin e skuadrave në ndeshjet e kthimit.
Ndeshja e parë është ajo mes Qarabag dhe Newcastle United, e cila pritet të fillojë nga ora 18:45. Azerët hyjnë në fushë me motiv maksimal, duke kërkuar të shfrytëzojë avantazhin e terrenit vendas. Përballë ka Newcastle, që rikthimin në Ligën e Kampionëve synon ta konfirmojë me një rezultat pozitiv në udhëtim.
Një duel interesant pritet të jetë ai mes entuziazmit nordik të Bodo/Glimt dhe përvojës italiane të Interit. Nerazzurrët shihen si favorit në letër, por norvegjezët kanë treguar se dinë të ndëshkojnë çdo skuadër që e nënvlerëson, raporton Telegrafi, transmeton Periskopi.

Club Brugge-Atletico Madrid është përballja tjetër e cila përshkruhet si taktike dhe fizike. Brugge kërkon të shfrytëzojë ritmin dhe mbështetjen e tifozëve, ndërsa Atletico hyn me stilin e tij karakteristik, duke synuar kontrollin e lojës dhe një rezultat të mençur.
Ndeshja e fortë pritet të jetë edhe në Greqi, ku Olympiakos pret një Bayer Leverkusen ambicioz. Gjermanët kërkojnë të tregojnë pjekuri evropiane, ndërsa vendasit shpresojnë të ndërtojnë avantazh për ndeshjen e kthimit./Periskopi



