Man Utd i vendosur, nuk do të ketë ulje çmimi për yllin e tyre

Man Utd i vendosur, nuk do të ketë ulje çmimi për yllin e tyre

Drejtuesit e Manchester United nuk kanë ndërmend të bëjnë asnjë lëshim financiar për kartonin e Marcus Rashford.

“Djajtë e Kuq” mbeten të vendosur në kërkesën e tyre për 30 milionë euro, shumë e përcaktuar në klauzolën e blerjes së rënë dakord me Barcelonën.

Gjatë afatit kalimtar të fundit veror, Barcelona siguroi shërbimet e sulmuesit anglez, pasi dështoi të transferonte Nico Williams i cili rinovoi me Athletic Club si dhe nuk arriti të afronte kolumbianin Luis Diaz, që përfundoi te Bayern Munich.

Në këto kushte, katalanasit vendosën të investonin te Rashford.

Pas gjysmës së sezonit, transferimi mund të konsiderohet i suksesshëm.

28-vjeçari është përshtatur menjëherë me ambientin në “Camp Nou” dhe deri më tani ka regjistruar 10 gola dhe 13 asistime në 34 ndeshje zyrtare në të gjitha kompeticionet.

Performancat e tij kanë bindur drejtuesit blaugrana të shqyrtojnë seriozisht aktivizimin e opsionit të blerjes përfundimtare.

Megjithatë, nëse Barcelona dëshiron ta mbajë përfundimisht sulmuesin, duhet të paguajë plotësisht 30 milionë eurot e parashikuara në marrëveshje.

Në të kundërt, lojtari do të rikthehet te Manchester United, klub që zotëron ende të drejtat e tij.

Sipas raportimeve të “Daily Mail”, klubi anglez nuk ka asnjë qëllim të rinegociojë shumën e transferimit.

Burime pranë klubit theksojnë se United është i habitur nga spekulimet për një ulje të mundshme të çmimit dhe këmbëngul se Barcelona duhet të paguajë të gjithë shumën e dakordësuar.

Situata mbetet për t’u ndjekur në javët në vijim, me Barcelonën që duhet të vendosë nëse do të investojë 30 milionë euro për të siguruar përfundimisht shërbimet e Rashford. /Telegrafi/

Shpërndaje në: