Prokuroria franceze nis hetime lidhur me Epsteinin dhe fton viktimat të flasin

Prokuroria franceze nis hetime lidhur me Epsteinin dhe fton viktimat të flasin

Prokurorët e Parisit kanë hapur të mërkurën dy hetime të reja për krime të mundshme të abuzimit seksual dhe shkelje financiare, të lidhura me Jeffrey Epstein.

Prokurorja e Parisit, Laurence Beccuau, ka thënë se hetimet do të bazohen në dosjet e publikuara nga administrata amerikane, raportet mediatike dhe ankesat e reja që po paraqiten.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

“Këto publikime do të riaktivizojnë patjetër traumën e disa viktimave”, ka thënë ajo. “Jemi të bindur se disa viktima nuk janë domosdoshmërisht të njohura për ne, dhe ndoshta këto publikime do t’i motivojnë ato të dalin përpara”.

Ky veprim vjen pas publikimit nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së të mbi 3 milionë faqesh dokumente, si dhe mijëra video dhe foto lidhur me Epstein, i cili vdiq në burg në vitin 2019.

Beccuau ka bërë thirrje që viktimat që mund të mos kenë folur kurrë më parë të paraqesin ankesa formale ose të bëjnë dëshmi për të ndihmuar hetimet franceze dhe të huaja.

Beccuau gjithashtu ka thënë se disa materiale nga hetimet e mëparshme do të rishikohen në dritën e zbulimeve të reja.

Ajo po i referohej hetimit ndaj agjentit francez të modelingut, Jean-Luc Brunel, i akuzuar për përdhunim dhe trafik seksual të të miturve.

Hetimi lidhur me të ishte mbyllur në vitin 2022 pasi ai ishte gjetur i vdekur në qelinë e tij të burgut në Paris. Brunel, një shok i shpeshtë i Epsteinit, konsiderohet qendror për hetimin francez mbi shfrytëzimin seksual të grave dhe vajzave nga Epstein dhe rrethi i tij.

Epstein udhëtonte shpesh në Francë dhe kishte apartamente në Paris.

Në Francë, figura e profilit më të lartë e prekur nga publikimi i fundit i dosjeve të Epstein është ish-ministri i Kulturës, Jack Lang, 86 vjeç, i cili ka dhënë dorëheqjen këtë muaj si kreu i Institutit të Botës Arabe në Paris mbi dyshime për mashtrim fiskal.

Prokuroria financiare ka hapur një hetim mbi Lang dhe vajzën e tij, Caroline Lang, për lidhjet e dyshuara me Jeffrey Epstein./koha/

Shpërndaje në: