Elmi Reçica propozoi tre amandamente për Ferizajn, pushteti nuk ia votoi asnjë

Elmi Reçica propozoi tre amandamente për Ferizajn, pushteti nuk ia votoi asnjë

Deputeti i PDK’së Elmi Reçica nga Ferizaj ka propozuar tre amandamente në buxhetin e vitit 2026 të cilat pushteti nuk ia miratoi, raporton Periskopi.

Amandamentet kanë të bëjnë me projektet në komunën e Ferizajt.

Kjo nuk është hera e parë që deputetit Reçica, pushteti nuk i miraton amandamente e projekte që lidhen me Ferizajn.

Këtu mund t’I gjeni amandamentet e plota:

 

 

                      Republika e Kosovës

Republika Kosovo-Republic of Kosovo

Kuvendi – Skupština – Assembly  

Legjislatura VIII

 

Për :      Komisionin funksional për Buxhet, Punë dhe Transfere

 

Nga:      Elmi Reçica, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës

 

Lënda:  Amendamente në Projektligjin nr. 10/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026

Datë: 13.11.2024

 

Në bazë të nenit 80, paragrafi 4, të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës, paraqes amendamente në Projektligjin nr. 10/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026.

 

 

Amendamenti 1

 

Në Organizatën Buxhetore “Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës” me kod 205000, bëhet ndryshim/plotësimi si në vijim:

Në programin “Mjedisi”, me kod 213175, nën programi “Autoriteti Rajonal i Pelgjeve Ujore”, me kod 213177, në tabelën 3.2, “Projektet e Kapitale të Nivelit Qëndror”, të shtohet një kod i veçantë buxhetor për ndërtimin e Ujëmbledhësit të Jezercit.

 

Arsyetim

 

Hidrosistemi i Ibër–Lepencit ende nuk është realizuar në tërësi, pasi deri më tani është implementuar vetëm segmenti i Ibrit, ndërsa projekti i Lepencit vazhdon të mbetet i papërfunduar. Kjo gjendje e bën projektin funksionalisht të cunguar dhe e kufizon ndjeshëm ndikimin e tij strategjik. Në aspektin afatgjatë, ky hidrosistem ka rëndësi jetike jo vetëm për sigurimin e ujit të pijshëm, por edhe për furnizimin me ujë industrial dhe për ujitjen e tokave bujqësore, duke ndikuar drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik dhe qëndrueshmërinë mjedisore. Në këtë kontekst, rol të veçantë ka Ujëmbledhësi i Jezercit, i cili paraqet një nyje kyçe për Kosovën Qendrore, veçanërisht për komunat e Ferizaj, Shtime, Kaçanik, Hani i Elezit, Shtërpcë dhe Viti. Për këto zona, projekti është thelbësor për garantimin e furnizimit të qëndrueshëm me ujë dhe për përballimin e sfidave të ardhshme që lidhen me rritjen e kërkesës dhe ndryshimet klimatike. Po ashtu, me implementimin e plotë të këtij hidrosistemi do të mundësohej edhe ringjallja e Bifurkacionit, një fenomen unik natyror që përbën një identitet të veçantë për Ferizajn, duke i dhënë projektit jo vetëm vlerë funksionale, por edhe rëndësi të veçantë mjedisore, turistike dhe simbolike.

 

Amendamenti 2

 

Në organizatën buxhetore “Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës”, me kod 216000, tek kodi 216258, tek nënprogrami  me kod 14300, tabela 3.2 “Projektet Kapitale për Nivelin Qendror”, të shtohet kod i veçantë buxhetor që i dedikohet mërgatës për të cilin duhet të shtohen fonde të reja prej 500.000€ për vitin 2026.

 

Arsyetim

 

Forcimi i kohezionit brenda diasporës është jetik për të forcuar ruajtjen e identitetit, gjuhës, kulturës, traditës. Në këtë buxhet parashihet blerja e veturave operative për ambasada në vlerë prej 500.000 euro, ndërsa nuk është paraparë asnjë mbështetje konkrete për mërgatën. Kjo tregon një mospërputhje në prioritete, duke lënë anash një nga shtyllat kryesore të shtetit tonë.

Investimi në aktivitete kulturore, artistike, sportive dhe arsimore do të ndihmonte në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe në forcimin e lidhjeve ndërmjet brezave. Po ashtu, krijimi i fondeve për shkolla plotësuese në gjuhën shqipe, mbështetja e qendrave kulturore dhe organizimi i forumeve ekonomike të diasporës do ta forconin lidhjen e mërgatës me Kosovën.

Një buxhet i balancuar duhet të reflektojë jo vetëm nevojat administrative, por edhe rëndësinë strategjike të diasporës për të ardhmen e Kosovës.

 

 

 

Amendamenti 3

 

Në organizatën buxhetore “Ministria e Ekonomisë”, me kod 213000, në programin “Njësia për Politika dhe Monitorimin e NP” me kod 213165 dhe nënprogramin “Uji dhe Hedhurinat” me kod 22500, tabela 3.2 Projektet Kapitale për Nivelin Qendror, të shtohen fonde në vlerë 6,000,000€ për vitin 2026 për projektin me kod 0520, 18524 “Ndërtimi i impiantit për trajtimin e ujërve të zeza – Ferizaj”

Arsyetim

 

Projekti “Ndërtimi i impiantit për trajtimin e ujërave të zeza – Ferizaj” është një investim i domosdoshëm për përmirësimin e infrastrukturës mjedisore dhe mbrojtjen e shëndetit publik. Mungesa e kapaciteteve adekuate për trajtimin e ujërave të zeza vazhdon të paraqesë një sfidë serioze, me ndikim të drejtpërdrejtë në ndotjen e mjedisit dhe në cilësinë e jetesës së qytetarëve. Shtimi i fondeve të reja në vlerë prej 6,000,000 euro për vitin 2026 është thelbësor për të afruar ndjeshëm realizimin dhe përfundimin e tij, duke mundësuar avancimin e fazave kryesore të zbatimit dhe reduktimin e pasojave mjedisore në rajon.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Elmi Reçica – Deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës

______________________________

Shpërndaje në: