Prokuroria në Prizren kërkon paraburgim për dy të arrestuarit për fajde
Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar nga Gjykata Themelore e Prizrenit caktimin e masës së paraburgimit për 30 ditë ndaj të pandehurve Fidan Berishës dhe Lirim Gashit, të cilët aktualisht ndodhen në ndalim 48-orësh, nën dyshimin e bazuar për kryerjen e veprës penale “fajdeja”.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, nga 13 dhjetori 2025 deri më 19 shkurt 2026, në Prizren, të pandehurit dyshohet se kanë vepruar në bashkëkryerje, duke kontraktuar një shumë dukshëm joproporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimeve të personit tjetër, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare dhe papërvojën e të dëmtuarit B.K.
Prokuroria bën të ditur se i dëmtuari kishte marrë borxh nga Berisha ndërsa shuma ishte siguruar nga Gashi me kusht që të paguante kamatë mujore prej 100 për qind.
Pasi nuk kishte arritur të kthente shumën, i dëmtuari kishte kërkuar shtyrje të afatit të pagesës deri në muajin korrik, por të pandehurit e kanë shtyrë afatin vetëm për një muaj, duke e vënë atë në pamundësi për të përmbushur obligimin financiar. Më pas, i dëmtuari ka njoftuar Policinë.
Gjatë hetimeve, Prokuroria Themelore në Prizren ka sekuestruar para të gatshme, pajisje elektronike dhe prova të tjera materiale që lidhen me veprën penale të dyshuar.
Prokuroria ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftën kundër kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë personave që bien ndesh me ligjin.



