Kur debati kompleks për shtetin laik tentohet të mbyllet me “o gllupa”

Kur debati kompleks për shtetin laik tentohet të mbyllet me “o gllupa”

Shkruan: Afrim Haliti

 

O gllupa.

Seriozisht? Veç me kaq a? Debatin për shtet laik, për raportin mes fesë dhe republikës, për kufijtë e neutralitetit institucional e mbyllim me “o gllupa”?

Sa lehtë tentohet të mbyllet një çështje komplekse me një fjalë dhe sa lehtë me e shmang argumentin duke e zëvendësu me diskualifikim. Reagim impulsiv. No depth and zero substance. Nga dikush që se pres dot.

Por, s’kemi qare pa sqaru diçka në mënyrë të thjeshtë, pa u nervozu se shteti laik nuk është anti fe. Shteti laik nuk është as “islamofobi”. Shteti laik nuk është as projekt për me e largu fenë nga shoqëria. Shteti laik thjeshtë është neutral. Pikë. Period.

Shteti laik nuk i mohon fetë por i respekton të gjitha njëkohësisht duke mos u identifiku me asnjërën. Pra nuk është kundër besimit por kundër përdorimit të besimit si instrument politik.

Pikërist këtu fillon problemi ynë real në Kosovë.

Sa herë që dikush flet për ndarje në mes të fesë dhe shtetit, reagimet bëhen emocionale. Ta merr mendja që neutraliteti institucional është sulm ndaj identitetit dhe se barazia juridike është tradhti kulturore.

Le të bëhemi pak më të sinqertë. Kosova nuk është republikë për shkak se shumica janë myslimanë. As për shkak se dikur kanë qenë të krishterë e as për shkak se një pjesë janë ateistë. Kosova është republikë sepse ka zgjedhur model shtetëror ku ligji nuk buron nga feja por nga kushtetuta.

Kjo nuk është paradoks. Kjo është modern state building.

Edhe me folë për laicitet nuk është islamofobi. Me kërku që shteti të mos ketë preferencë fetare nuk mund të konsiderohet urrejtje sepse minimalisht është standard demokratik. Nëse sot shumica janë myslimane, shteti megjithatë duhet të jetë neutral. Nëse hipotetikisht nesër ndryshon demografia, shteti prapë duhet të mbetet neutral. Period.

Mos keqinterpretoni. Problem nuk është feja. Problem është kur feja instrumentalizohet. Kur bëhet monedhë politike. Kur përmes saj tentohet mobilizim emocional duke mos i lënë vend spiritualitetit dhe duke e shndërruar atë në power dynamics.

Pastaj kur në vend të argumentit përdoret diskualifikimi “gllup”, të gjitha shenjat tregojnë se debati ka ra në nivel performance. Nuk është më diskutim për parime por për show.

Mirëpo republika nuk është show.

Asnjë shoqëri serioze dhe e shëndoshë nuk guxon m’u tutë me diskutu mbi kufijtë në mes të fesë dhe shtetit. Shoqëritë e tilla nuk reagojnë me nervozizëm sa herë të përmendet neutraliteti.

Shoqëritë e tilla diskutojnë, argumentojnë e ballafaqohen.

Nëse diskualifikimi më i fortë që kemi për një debat kushtetues është “gllup”, atëherë problemi më nuk është teologjik por intelektual. Është krizë e elitës publike intelektuale që mendon se toni i ngritur është i barabartë me argument të fortë.

E di që nuk është reagim ndaj një personi por e shoh si simptomë të një mungese të kulturës së debatit. Në fund të ditës një shtet laik nuk e rrezikon fenë por në anën tjetër banaliteti i debatit gjithsesi se e rrezikon republikën.

Dhe nëse s’kam qare pa e thënë, unë nuk e kam fare hall me u përshtat me nivelin e zhurmës që po bëhet. Thjeshtë nuk postoj e as nuk komentoj për like. Çka kam dëshirë me pa e me lexu janë standardet. Më pak diskualifikime e më shumë argumente. Më pak emocione se po duken si të orkestruara e më shumë qartësi.

Nëse kjo nuk i pëlqen disave, taugh.

Republika nuk ndërtohet mbi rehati personale por mbi parime.

Nëse debati publik në Kosovë ka nevojë për me u resetu, mirë kish qenë me fillu nga gjuha.

Shpërndaje në: