Kurti në AKI: Inteligjenca shtyllë e sovranitetit, mbështetja vazhdon me rritje buxheti
Kryeministri Albin Kurti ka vizituar sot Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, ku ka takuar drejtorin e këtij institucioni, Petrit Ajetin.
Ai pohoi që AKI-ja ka pasur mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë, dhe do të vazhdojë ta ketë me rritjen e buxhetit për të.
“Dje, pata kënaqësinë të vizitoj Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), ku u prita nga Drejtori z. Petrit Ajeti, stafi drejtues dhe zyrtarë të tjerë”, ka shkruar Kurti në Facebook.
“Vizita u realizua me rastin e festimit të 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe 17-vjetorit të themelimit të AKI-së, me ç’rast ndamë certifikatat për zyrtarët e rinj, si dhe përuruam një objekt modern në kompleksin e AKI-së”.
“Inteligjenca mbetet një nga hallkat më të rëndësishme në mbrojtjen e sovranitetit, duke garantuar që Republika jonë të jetë e përgatitur për çdo sfidë dhe të marrë vendime të informuara”.
“Në kuadër të prioriteteve tona për të mbështetur sektorin e sigurisë, AKI ka pasur mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, me rritje të lartë të buxhetit dhe kjo mbështetje do të vazhdojë”.
Kurti tha se sukseset e AKI-së ndër vite i kanë kontribuuar sigurisë kombëtare duke trajtuar me profesionalizëm kërcënimet nga spiunazhi, ato hibride e më gjerë.
“Më inkurajon fakti që AKI po avancon vazhdimisht kapacitetet e saj teknologjike, analitike dhe operative, me ambicie dhe objektiva të qarta, duke u përshtatur me realitetin e ri të sigurisë dhe duke forcuar bashkëpunimin me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë”.
“Sukseset e AKI-së përgjatë viteve të fundit kanë kontribuuar në sigurinë kombëtare, rajonale dhe më gjerë, në bashkëpunim të afërt me institucionet vendore dhe shërbimet partnere”.
“Kërcënimet nga spiunazhi, kërcënimet hibride dhe kibernetike, ekstremizmi dhe radikalizmi, krimi i organizuar dhe format tjera të kërcënimeve ndaj sigurisë kombëtare, janë trajtuar me profesionalizëm, duke ndikuar në avancimin e sigurisë kombëtare”.



