FFM dënon Vardarin për thirrjet raciste antishqiptare

FFM dënon Vardarin për thirrjet raciste antishqiptare

Federata e Futbollit të Maqedonisë ka dënuar klubin futbollistik Vardar me gjobë prej 5000 euro dhe një ndeshje pa publik në teren vendas pas brohoritjeve nacionaliste nga tifozëria “Komiti” në ndeshjen e fundit me Bashkimin. Vendimi erdhi në seancë të jashtëzakonshme të komisionit disiplinor ku u konstatuan thirrjet ofenduese dhe nacionaliste.

“Për shkak organizimit të dobët të ndeshjes FK Vardar – FK Bashkimi, brohoritje ofenduese dhe nacionaliste nga ana e grupit të tifozëve të FK Vardar dhe përdorimit të mjeteve piroteknike, klubi FK Vardar dënohet me ndalesë të prezencës së publikut në një ndeshje dhe gjobë me të holla në vlerë prej 5000 euro”, thonë nga FFM

Sanksione individuale ka paralajmëruar edhe Ministria e Punëve të Brendshme. Konfirmojnë se është kryer vepër penale “dhunë dhe sjellje e pahijshme në ndeshje sportive” e për të cilën parashihet gjobë me të holla në vlerë nga 600 deri në 1000 euro për personat fizik ndërsa 1500 deri 5000 euro për klubin nëse nuk parandalon një sjellje të tillë. Megjithatë, MPB nuk zbulon nëse ka arritur të identifikojë personat që brohoritnin me fjalë fyese dhe nëse të njëjtin janë marrë në pyetje.

“Është kryer shkelje e paraparë në nenin 3 paragrafi 3, dhe e dënueshme nga neni 13 paragrafi 1 nga ligji për parandalim të dhunës dhe sjelljes së pahijshme në ndeshje sportive. Lidhur me lartëpërmendurën si dhe me shkelje të tjera eventuale të konstatuara, do të ndërmerren masa të përshtatshme ligjore për sanksionimin e tyre”, thonë nga MBP..

Alsat disa herë tentoi të bie në komunikim edhe me zv.ministrin e punëve të brendshme Astrit Isenin por edhe me kabinetin e tij, por i njëjti nuk e pa të arsyeshme ti përgjigjet thirrjeve dhe sms porosive tona.

Zv.kryeministri për qeverisje të mirë Arben Fetai, bëri thirrje deri te Federata e Futbollit dhe organet kompetente të reagojnë me profesionalizëm dhe të shqiptohen sanksione të nevojshme ndaj individëve dhe klubit me qëllim që situata të tilla të mos përsëriten.

 

Shpërndaje në: