KQZ rekomandon zgjatjen e afatit për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme

KQZ rekomandon zgjatjen e afatit për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ia ka dërguar Kuvendit të Kosovës disa rekomandime për ndryshime në Ligjin për Zgjedhjet.

Rekomandimet, siç njofton KQZ, kanë ardhur pasi janë analizuar zgjedhjet lokale dhe ato të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.KQZ thotë se ka nevojë për ndërhyrje ligjore edhe në Ligjin për Financimin e Subjekteve Politike.

Si rekomandim i KQZ-së është rishikimi i sistemit zgjedhor “në mënyrë që të reduktohet dhe harmonizohet numri i votave preferenciale ndërmjet zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës dhe për Kuvendet Komunale”.

“Rishikimi i afateve për paraqitjen dhe shqyrtimin e ankesave në PZAP dhe Gjykatën Supreme; të hapet rruga për ndryshim për zgjatjen e afatit për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme nga 45 në 60 ditë; qartësimi i dispozitave ligjore për votimin me asistencë; ndryshimi i afateve të tërheqjes së dërgesave të pakove me fletëvotime nga votimi me postë jashtë Kosovës, etj.”- janë në mesin e rekomandimeve të KQZ-së.

Në rekomandime përfshihet edhe numërimi digjital i fletëvotimeve dhe identifikimi elektronik i votuesve.

“Pas sfidave të evidentuara gjatë zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës 2025, veçanërisht atyre që ndërlidheshin me rinumërimin dhe zgjatjen e procesit të numërimit, ka vlerësuar të domosdoshëm zbatimin e projektit për numërimin digjital të fletëvotimeve përmes skanimit. Ky projekt do të pilotohet fillimisht në një nivel të kufizuar, me qëllim testimin e funksionalitetit dhe efikasitetit të tij. Për zbatimin e numrimit digjital, parashikohet që brenda 6 muajve të ndërmerren veprime”- thuhet në komunikatën e KQZ-së.

Për zgjedhjet e 28.12.2025 dhjetëra komisionerë u arrestuan nën dyshimin se manipuluan votat e kandidatëve për deputetë.KQZ kishte vërejtur manipulimet pasi kishte shikuar kamerat në Qendrat Komunale të Numërimit.

Shpërndaje në: