Dosja e Prokurorisë: Çka deklaruan polici dhe dy të tjerët të cilëve iu gjetën 1 milion euro të fshehura në furgon?
Një vlerë prej 1 milion eurove të fshehura në një hapësirë të improvizuar brenda një furgoni janë gjetur nga zyrtarët e Doganës dhe policët kufitarë në Merdarë më 24.02.2026.
Të dyshuarit në këtë rast janë Aurel Kaziu, polic në radhët e Policisë së Shtetit, konkretisht në Komisariatin numër 5 në Tiranë, Ardit Laska dhe Etnik Ahmaxhokaj, të cilët u arrestuan dhe janë në ndalim.
KALLXO.com ka siguruar kërkesën për caktimin e masës së sigurisë, përmes të cilës Prokurori special ka kërkuar paraburgim prej një muaji ndaj tre të pandehurve, mbi bazën e rrezikut të ikjes së tyre, asgjësimit, fshehjes, ndryshimit dhe falsifikimit të provave. Të njëjtit po dyshohen për “shpëlarje të parave”.
“Ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit me dashje dhe duke e ditur se pasuria e caktuar është fituar përmes aktivitetit kriminal, kanë hyrë në territorin e Republikës së Kosovës”- thuhet në kërkesën për caktimin e masës së sigurisë ndaj policit shqiptar dhe dy personave të tjerë që u kapën në Merdarë duke transportuar 1 milion euro të padeklaruara.
Sipas dosjes, furgoni i tipit “Sprinter”, me targa shqiptare, kishte hyrë në Kosovë përmes Merdarës i vozitur nga i pandehuri Edmir Ahmagjokaj, i cili ishte i shoqëruar nga dy të pandehurit e tjerë; Aurel Kaziu dhe Ardit Laska. Në dosje thuhet se në “bunkerin” e improvizuar në furgon janë gjetur 18 pako me bankënota 10, 20, 50, 100 dhe 200 euro.
Të tre kur janë marrë në pyetje kanë deklaruar se me profesion janë shoferë.
I pandehuri Edmir Ahmagjokaj në deklaratën e dhënë te hetuesit doganorë më 24.02.2026 deklaroi se nuk kishte asnjë dijeni për paratë e gjetura në furgon. Ai shpjegoi se kishte udhëtuar në Gjermani më 22.02.2026 për të punuar në shpërndarje postash për klientë të ndryshëm. Ai qëndroi në hotel rreth orës 22:00 dhe planifikonte të nisej drejt Shqipërisë më 25.02.2026.
I pandehuri Aurel Kaziu, i cili është polic në Shqipëri, në deklaratën e dhënë te hetuesit doganorë më 24.02.2026, i pandehuri deklaroi se më 21.02.2026 ishte nisur nga Tirana për në Gjermani me një furgon të kaltër, të cilin e kishte ndryshuar në Kosovë me furgonin që u ndalua nga Dogana.
“Furgonin nga Kosova për në Tiranë e kishte marrë kompania. Ai tha se kishte qëndruar një natë në Dortmund dhe më pas është takuar me Edmir Ahmagjokajn në Këln, ku kishin ngrënë së bashku dhe më pas vazhduan udhëtimin për në Shqipëri. Për paratë e konfiskuara, deklaroi se nuk kishte asnjë dijeni”- thuhet në dosjen e siguruar.
Kurse i pandehuri i tretë, Ardit Laska, sipas dosjes, deklaroi se kishte shkuar për herë të parë në Gjermani për tre muaj. Mohoi çdo lidhje me paratë. Tha se kishte kontaktuar një kompani përmes Instagramit për transport Gjermani–Shqipëri.
“Kompania i kishte dhënë kontaktin e Aurel Kaziut dhe lokacionin e pikës së nisjes. Më 23.02.2026, ai së bashku me Aurel Kaziun dhe EdmirAhmagjokaj ishin nisur nga Dortmundi për në Shqipëri”- vazhdon dosja.
Vlera prej 1 milion euro e gjetur në një hapësirë të fshehtë në një furgon sipas Prokurorisë dyshohet se janë përfituar përmes aktivitetit kriminal.
Në dosje thuhet se të dyshuarit kur ishin ndaluar dhe ishin pyetur nga hetuesit doganorë e kishin mohuar se kanë diçka për të deklaruar.
Ahmagjokaj, Kaziu e Laska janë ndaluar në pikën kufitare më 24.02.2026 rreth orës 13:00. Të tre këta janë ndaluar fillimisht për një kontrollë nga Dogana e Kosovës ndërsa nga pajisjet digjitale me rreze X është hasur në disa dyshime për mjete monetare të fshehura brenda një furgoni./Periskopi
U kap me 1 milion euro të fshehura në veturë, kush është polici i komisariatit nr.5 në Tiranë?



