Ali Khamenei në pushtet që nga viti 1989, çka do të thotë vdekja e Khameneit për Iranin

Ali Khamenei në pushtet që nga viti 1989, çka do të thotë vdekja e Khameneit për Iranin

Gjatë sulmeve amerikano‑izraelite mbi Iranin u raportua se Udhëheqësi Suprem Ali Hamenei është vrarë. Presidenti amerikan, Donald Trump ka konfirmuar se Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ali Khamenei, sic e ka cilësuar ai “një nga njerëzit më të këqij në histori”,  është i vdekur.

“Kjo nuk është vetëm drejtësi për popullin e Iranit, por edhe për të gjithë amerikanët e mëdhenj,” tha Trump në një postim në Truth Social.

Republika Islamike përballet me tronditjen më të madhe politike që nga Revolucioni i vitit 1979.

Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli këtë mëngjes nisën sulme të koordinuara ndaj objektivave ushtarake dhe të sigurisë iraniane. Pentagoni e quajti operacionin “Hidhërimi Epik”, ndërsa pala izraelite e quajti “Zhurma e Luanit”.

Presidenti amerikan Donald Trump tha në një video se qëllimi i sulmeve është “të eliminohet kërcënimi ndaj sigurisë së SHBA‑s” dhe t’u jepet iranianëve mundësia të rrëzojnë udhëheqësit e tyre.

Pas këtij sulmi, Irani bëri kundërsulme me raketa ndaj Izraelit, por edhe ndaj bazave amerikane në Bahrein, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katar. Izraeli shpalli gjendje emergjente, dhe i gjithë rajoni është në prag të një konflikti më të gjerë.

Një njeri që ka sunduar 36 vjet

Ali Khamenei (86) ka dominuar Iranin që nga viti 1989, kur pas vdekjes së Ruhollah Khomeini mori postin e përjetshëm të Udhëheqësit Suprem. Si autoriteti më i lartë në sistemin politik dhe fetar, ai kontrollonte forcat e armatosura, shërbimet e sigurisë, gjyqësorin dhe vendimet kryesore politike.

Gjatë tre dekadave në pushtet ai ka përballuar studentët në 1999, trazirat masive në 2009, valën e rebelimeve në 2019 dhe lëvizjen “Grua, Jeta, Liria” në 2022 dhe 2023, pas vdekjes së Mahsa Aminit në paraburgim. Çdo herë, regjimi iu përgjigj me represion.

Udhëheqja e tij është karakterizuar nga kontroll i fortë, mbështetje te Garda Revolucionare dhe konfrontim i vazhdueshëm me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin. Ai nuk ka njohur Izraelin dhe ka mbështetur grupet aleate në mbarë Lindjen e Mesme.

I lindur në qytetin veriolindor të Mashhad në vitin 1939, djali i një dijetari fetar, Ali Khamenei iu bashkua lëvizjes opozitare fetare të Ayatollah Khomeinit kundër Shah Mohammad Reza Pahlavi në vitin 1962.

Pas Revolucionit Islamik në vitin 1979, Ali Khamenei u bë zv/ministër i mbrojtjes dhe ndihmoi në organizimin e Forcave të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC).

Pas vdekjes së Khomeinit në qershor 1989, Asambleja e Ekspertëve (një këshill i klerikëve) zgjodhi Ali Khamenein si udhëheqësin e ri suprem, edhe pse ai nuk kishte arritur rangun e kërkuar mes klerikëve shiitë që kushtetuta parashikonte.

Për të zgjidhur këtë situatë, kushtetuta u ndryshua duke thënë se udhëheqësi suprem duhej të tregonte “dijetari islame”, gjë që mundësoi që Ali Khamenei të bëhej ajatollah dhe të zgjidhej udhëheqës suprem.

Ai ka mbajtur një kontroll të fortë mbi politikën e Iranit dhe forcat e tij të armatosura, dhe ka shtypur sfidat ndaj sistemit qeverisës, ndonjëherë edhe me dhunë.

Ai ka mbetur i dyshimtë ndaj marrëdhënieve me Perëndimin, veçanërisht me SHBA-në, dhe ka kërkuar disa herë publikisht eliminimin e Shtetit të Izraelit, si dhe ka vënë në dyshim në publik nëse Holokausti ka ndodhur.

Gjatë sundimit të Khameneit, në Iran kanë shërbyer shtatë presidentë, dhe ai ka gjashtë fëmijë.

Lufta që zbuloi dobësitë

Gjatë luftës 12-ditore në qershor 2025, kur Izraeli kreu sulmet më të thella brenda Iranit, Hamenei u detyrua të fshihej. Lufta zbuloi dobësi të mëdha të sigurisë dhe depërtim të inteligjencave të huaja brenda strukturave iraniane.

Megjithatë në fjalimet publike ai theksonte se Irani nuk do të dorëzohet. Me rastin e 47-vjetorit të Revolucionit Islamik, ai tha se revolucioni “mbajti Iranin larg ndikimit të huaj” dhe se forca e vendit qëndron në unitet.

Kush merr pushtetin?

Nëse vdekja e tij konfirmohet, pyetja kryesore është kush do ta zëvendësojë. Sipas kushtetutës, Këshilli i Ekspertëve emëron udhëheqësin e ri. Ka spekulime për djalin e tij, i cili punon prapa skenës dhe ka mbështetje të fortë.

Garda Revolucionare mund të luajë rol të rëndësishëm në tranzicion. CIA ka vlerësuar se në rast vdekjeje të Khameneit, Garda Revolucionare Islamike e Iranit mund të konsolidojnë pushtetin.

Parlamenti iranian në janar paralajmëroi se çdo sulm ndaj Udhëheqësit Suprem do të ishte “deklaratë lufte ndaj botës islamike” dhe mund të nxisë xhihad.

Trump foli me udhëheqësit e Arabisë Saudite, Katarit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe dhe me sekretarin e NATO-s, Mark Rutte, pas sulmeve iraniane mbi bazat amerikane.

Nëse Hamenei është vërtet i vrarë, Irani hyn në një fazë të thellë pasigurie dhe destabilizimi. Ka rrezik për ndeshje të brendshme, përplasjen e fraksioneve në pushtet dhe eskalim të konfliktit me Izraelin dhe SHBA-në.

Për një regjim që ka varur 36 vjet mbi një figurë, ky mund të jetë një moment që ndryshon gjithçka./Periskopi

Shpërndaje në: