Kurti e mbështet sulmin kundër Iranit, mbrëmë me kërkesë të tij u mblodh Këshilli i Sigurisë

Kurti e mbështet sulmin kundër Iranit, mbrëmë me kërkesë të tij u mblodh Këshilli i Sigurisë

Zyra e Kurtit njofton se mbrëmë vonë, me kërkesë të Kryeministrit Albin Kurti është mbajtur mbledhja e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurisë, për të diskutuar rreth zhvillimeve të fundit të situatës së sigurisë në Lindjen e Mesme, gjegjësisht zhvillimit të operacionit ushtarak “Epic Fury” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të forcave partnere, kundër Republikës Islamike të Iranit, njofton ZKM.

Sipas njoftimit dërguar mediave, Kryeministri Kurti ka ritheksuar qëndrimin e qartë të institucioneve të Republikës së Kosovës se qëndrojnë të palëkundur përkrah miqve dhe aleatëve tanë strategjikë, e në veçanti të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në përpjekjet për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit ndërkombëtar.

“Republika e Kosovës, në përputhje me orientimin e saj euroatlantik dhe partneritetin e ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbështet veprimet e ndërmarra nga SHBA-të ndaj objektivave të regjimit të Ajatollahëve në Iran, duke i vlerësuar ato si masa që synojnë parandalimin e përshkallëzimit të mëtejmë dhe kufizimin e kapaciteteve destabilizuese në rajon”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

Njëkohësisht, Republika e Kosovës shpreh solidaritetin e saj me popullin e Iranit dhe aspiratat e tyre legjitime për liri, dinjitet dhe të drejta themelore, vijon njoftimi.

“Institucionet e Republikës së Kosovës tashmë kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë në Republikën e Kosovës, dhe se janë duke i monitoruar për së afërmi zhvillimet në Lindjen e Mesme, sikurse edhe implikimet e mundshme për Kosovën dhe rajonin. Ne po ashtu jemi në komunikim të afërt dhe të vazhdueshëm edhe me partnerët tanë strategjik”, thuhet tutje.

Tute, ZKM thotë, “i bëjmë thirrje qytetarëve të Republikës së Kosovës që të qëndrojnë të qetë dhe të informohen vetëm përmes kanaleve zyrtare dhe burimeve kredibile të informimit, dhe të mos bien pre e dezinformatave dhe propagandës që kanë për synim destabilizimin e vendit dhe krijimin e pasigurisë, tensioneve apo përhapjen e narrativeve kundër shtetësisë dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”.

“Republika e Kosovës mbetet një partnere e besueshme dhe e përkushtuar e komunitetit euroatlantik dhe do të vazhdojë të kontribuojë në përpjekjet e përbashkëta për paqe, siguri dhe stabilitet global”, përfundon njoftimi.

Shpërndaje në: