Reagon LDK: Qasja e VV-së është për keqardhje, s’e përkrahim

Reagon LDK: Qasja e VV-së është për keqardhje, s’e përkrahim

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar lidhur me procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës, duke theksuar se ky proces duhet të zhvillohet me seriozitet të plotë, përgjegjësi institucionale dhe në frymën e konsensusit që kërkon Kushtetuta.

Sipas LDK-së, takimet e deritanishme mes subjekteve politike kanë pasur karakter konsultativ, me synimin për të gjetur një kandidat të përbashkët për postin e Presidentit.

Megjithatë, kjo parti vlerëson se konsensusi nuk mund të ndërtohet si një garë politike, ku njëra palë propozon emra dhe të tjerat ftohen vetëm për t’i mbështetur.

LDK thekson se konsensusi nënkupton një proces të përbashkët diskutimi dhe dakordimi për një figurë që përfaqëson unitetin institucional dhe gëzon mbështetje të gjerë parlamentare.

Postimi i plotë:

Lidhja Demokratike e Kosovës ka besuar gjithmonë se procesi i zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të zhvillohet me seriozitet të plotë dhe me përgjegjësi institucionale, si dhe në frymën e vërtetë të konsensusit që kërkon Kushtetuta e Republikës së Kosovës.
Takimet e deritanishme ndërmjet subjekteve politike kanë qenë konsultative, me qëllim gjetjen e një kandidati konsensual për këtë pozitë të rëndësishme shtetërore.
Konsensusi nuk është garë politike dhe nuk mund të ndërtohet si proces ku njëra palë propozon emra, ndërsa të tjerat ftohen vetëm për t’i mbështetur ata. Konsensusi nënkupton një proces të përbashkët diskutimi dhe dakordimi për një figurë që përfaqëson unitetin institucional të vendit dhe gëzon besimin e gjerë parlamentar.
Qasja e Lëvizjes Vetëvendosje! nuk reflekton një përpjekje serioze për ndërtimin e këtij konsensusi. Përkundrazi, ajo e trajton këtë proces si një garë politike e jo si përpjekje për të arritur dakordim politik. Një qasje e tillë nuk i shërben as frymës së Kushtetutës dhe as nevojës së vendit për stabilitet institucional.
LDK-ja vlerëson se mënyra se si është zhvilluar ky proces nga ana e VV-së nuk krijon kushtet për zgjedhjen e Presidentit dhe nuk dëshmon qëllim të mirëfilltë për të arritur një marrëveshje të gjerë politike. Zgjedhja e Presidentit është një proces që kërkon maturi, përgjegjësi dhe vullnet të vërtetë për bashkëpunim ndërmjet subjekteve parlamentare.
Në këtë frymë, Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh keqardhje që, për shkak të kësaj qasjeje të papërgjegjshme politike, vendi po shkon drejt kalimit të afateve kushtetuese dhe rrezikon të dërgohet në edhe një palë zgjedhje të reja, në vend të arrihet stabiliteti institucional, të cilin qytetarët tanë e presin dhe e meritojnë.

Shpërndaje në: