Gabim është “afati 60-ditësh”, nëse deri në orën 24:00 nuk kemi President – shkojmë në zgjedhje brenda 45-ditësh
Shkruan: Adriatik Kelmendi
Sot, më datë 5 mars 2026, nuk jemi në situatë ku interpretimi i vlefshëm kushtetues rrjedh nga Neni 82 dhe/ose Neni 90 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, se as nuk kemi të bëjmë me ndërprerje të parakohshme të mandatit të një Presidenti dhe as me fillim të procedurës së zgjedhjes së një Presidenti. Sot, jemi në situatën kur Kosova ka President të zgjedhur vetëm edhe për 30 ditë dhe për këtë arsye vlen Neni 86 i Kushtetutës, i cili parasheh se afati i fundit për zgjedhjen e Presidentit të ri nga Kuvendi aktual është deri në orën 24:00 dhe dështimi për çfarëdo arsye për të zgjedhur President nënkupton shpërndarjen e Kuvendit dhe shkuarjen në zgjedhje brenda 45 ditësh
KOSOVA SHKON në zgjedhje të parakohshme brenda 45 ditësh nëse sot deri në orën 24 Kuvendi aktual nuk zgjedh një President të ri.
Nuk ka rëndësi se a votohet për një, ose për dy kandidatë, nuk ka rëndësi a votohet fare, nuk ka rëndësi a mbahet ose nuk mbahet seancë e Kuvendit, nuk ka rëndësi se kush merr pjesë në votim, as nuk ka rëndësi se kush janë ata që marrin pjesë në votim dhe kush jo.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës i ka mekanizmat e saj zhbllokues. Nëse sonte deri në orën 24:00 kjo përbërje e Kuvendit të Kosovës dështon të prodhojë një President të vendit, Kuvendi shpërbëhet, në mënyrë që brenda afatit 45-ditësh të zgjedhjet një përbërje e re e Kuvendit, e cila pritet të jetë e aftë të prodhojë një President. Këtë e parasheh qartë Neni 86 i Kushtetutës, që flet për Zgjedhjen e Presidentit, ku thuhet:
”2. Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual.”
Dhe
”6. Nëse ne votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet President i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë (45) ditësh.”
Sot, data 5 mars 2026, është ajo ditë e fundit e paraparë nga Kushtetuta, si ditë kur Kosova do të duhej bërë me President të ri. Pikërisht për shkak se Kushtetuta nuk mund të parashikojë situata politike, ose rrethana të tjera, se për çfarë arsye 120 deputetë të Kuvendit të Kosovës nuk do të duan, nuk do të dinë, nuk do të munden ta zgjedhin Presidentin, atëherë ka paraparë mekanizmin zhbllokues të afatit të fundit. Porosia është: çfarëdo që të bëni, nëse nuk arrini ta zgjedhni Presidentin së paku 30 ditë pas përfundimit të mandatit të Presidentit aktual, ju nuk jeni të aftë për këtë punë dhe nevojitet një përbërje e re e Kuvendit, pas zgjedhjeve, të provojë të prodhojë President të ri.
Gabimi me ”afatin 60-ditësh”
TASH, PSE DISA persona po i referohen gabimisht një neni tjetër kushtetues dhe po thirren për ”afatin 60 ditësh”?
Pika që flet për afatin 60-ditësh ka të bëjë jo me Nenin 86 që trajton Zgjedhjen e Presidentit, por me Nenin 82, që trajton Shpërndarjen e Kuvendit. Aty thuhet:
” 1. Kuvendi shpërndahet në këto raste: (…) (3) nëse brenda afatit gjashtëdhjetë (60) ditësh nga data e fillimit të procedurës së zgjedhjes, nuk zgjedhet Presidenti i Republikës së Kosovës.”
Hartuesit e Kushtetutës së Republikës së Kosovës kanë vepruar shumë mirë dhe mençur teksa e kanë përpiluar këtë dispozitë kushtetuese, për shkak se edhe kjo pikë pamundëson krijimin e rrethanave bllokuese për zgjedhjen e Presidentit. Afati prej 60 ditëve është dhënë për të shmangur situatat kur, për çfarëdo arsye, një përbërje e Kuvendit fillon një ditë të caktuar procedurën për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, por dëshiron ta zvarrisë, ose e zvarrit për arsye të tjera atë zgjedhje në periudhë të gjatë kohore, e cila do të mund të kalonte disa muaj, e ndoshta edhe vite. Për këtë arsye, siç është paraparë situata zhbllokuese me Nenin 86, pika 2, që flet për afatin 30-ditësh, edhe Neni 82, pika 1 përmban afatin 60-ditësh.
Por ku është problemi?
Sot, kur jemi më datë 5 mars 2026, është ezauruar tashmë mundësia që parashihet me Nenin 82. Kjo përbërje e Kuvendit ka dështuar të nis procedurat për zgjedhje të Presidentit së paku 60 ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual, dhe tash kemi të bëjmë vetëm me Nenin 86, që parasheh se deri në orën 24:00 do të mund të zgjedhjet Presidenti i ri, ose shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja.
Pse nuk u shfrytëzuan mundësitë kushtetuese?
JA DISA MUNDËSI që nuk janë shfrytëzuar:
Kjo përbërje e Kuvendit ka mundur të fillojë procedurën për zgjedhjen e Presidentit të ri të Kosovës, më datën 11 shkurt 2026, në ditën kur është konstituuar Kuvendi aktual. Nga 11 shkurti do të hynte në fuqi Neni 82, pika 1, për afatin 60-ditësh. Presidenti i ri, ose do të zgjedhej ose jo, por nëse do të kalonte periudha 60-ditëshe nga fillimi i procedurës pa rezultuar me President të ri, atëherë do të shpërndahej kjo përbërje e Kuvendit dhe do të shkohej në zgjedhje të parakohshme.
Nëse edhe përbërja e kaluar e Kuvendit, ajo e 14 shkurtit 2025, do të ishte në mandat dhe brenda 60-ditësh nga fillimi i procedurës së zgjedhjes së Presidentit nuk do të arrinte për çfarëdo arsye të prodhonte President të ri, edhe ai Kuvend do të shpërndahej.
Por të gjitha këto mundësi, sot, më datë 5 mars 2026, tashmë janë të ezauruara dhe të tejkaluara. Kjo për arsye se çfarëdo procedure për zgjedhjen e Presidentit të ri do të duhej të fillonte së paku 60 ditë para 30-ditëshit të fundit të mandatit të Presidentit aktual.
Për këto arsye, Neni 86 që flet për Zgjedhjen e Presidentit, nuk flet për rrethana në të cilat nuk do të mund të zgjedhjet një President i ri, por flet vetëm për afat të qartë kohor se deri kur një përbërje e Kuvendit ka mundësi të provojë të prodhojë një President të ri, ose në të kundërtën shkohet në zgjedhje për të nxjerrë një përbërje të re të Kuvendit, e cila do të mund të prodhojë President të ri.
Shembujt me Presidentët e kaluar
KOSOVA KA PASUR mjaftueshëm situata konkrete kur Presidentët e saj nuk e kanë çuar mandatin e tyre deri në fund, ose për shkak se janë gjetur në shkelje kushtetuese, ose se kanë vdekur, ose se janë arrestuar. Në të gjitha këto raste kanë vlejtur dy dispozita kushtetuese:
Neni 90, që flet për Mungesën e Përkohshme të Presidentit, ku nën pikën 1 sqarohet se
”Në rast se Presidenti i Republikës së Kosovës përkohësisht nuk është i aftë për të përmbushur përgjegjësitë e tij/saj, ajo/ai mund t’ia kalojë vullnetarisht detyrat e postit të tij/saj, Kryetarit të Kuvendit, i cili do të jetë ushtrues i detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës. (…)”,
kurse nën pikën 3. precizohet se
“Posti i ushtruesit të detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë (6) muaj.”.
Pra, siç po shihet, Neni 90 qartëson se çka ndodh në situatat kur Republika e Kosovës mbetet pa President për shkak të rrethanave të caktuara dhe jo për shkak se Presidentit aktual i përfundon mandati. Në këto raste vlejnë dy afate:
një, U.d. i Presidentit mund ta ushtrojë vetëm për maksimumi gjashtë muaj detyrën e Presidentitm dhe;
dy, Procedurat për zgjedhjen e Presidentit të ri duhet të fillojnë brenda këtij afati gjashtëmujor, por jo të zgjasin më shumë se 60 ditë, përndryshe shpërndahet Kuvendi dhe shkohet në zgjedhje të parakohshme.
Së këndejmi, marrë të gjitha këto parasysh, sot, më datë 5 mars 2026, nuk jemi në situatë ku interpretimi i vlefshëm kushtetues rrjedh nga Neni 82 dhe/ose Neni 90 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, se as nuk kemi të bëjmë me ndërprerje të parakohshme të mandatit të një Presidenti dhe as me fillim të procedurës së zgjedhjes së një Presidenti. Sot, më datë 5 mars 2026, jemi në situatën kur Kosova ka President të zgjedhur vetëm edhe për 30 ditë dhe për këtë arsye vlen Neni 86 i Kushtetutës, i cili parasheh se afati i fundit për zgjedhjen e Presidentit të ri nga Kuvendi aktual është deri në orën 24:00 dhe dështimi për çfarëdo arsye për të zgjedhur President nënkupton shpërndarjen e Kuvendit dhe shkuarjen në zgjedhje brenda 45 ditësh.
P.S.: Një pyetje hipotetike që shtrohet nganjëherë është se çka nëse Kosova nuk do të kishte Kuvend të konstituuar dhe do të përfundonte afati 30-ditësh për zgjedhjen e Presidentit të ri, para se Presidenti aktual do ta përfundonte mandatin. Besoj se kjo është një rrethanë hipotetike, e cila nuk është paraparë qartësisht në Kushtetutë dhe do të kërkonte interpretim nga Gjykata Kushtetuese. Sidoqoftë, sot, më datë 5 mars 2026, Kosova ka Kuvend të konstituuar dhe me kushte që ta zgjedhë një President të ri deri në orën 24:00. Nëse dështon ta bëjë këtë, shpërndahet Kuvendi dhe shkojmë në zgjedhje.



