Gruda: Jemi 14 vjet pas vendimit të Kushtetueses, s’mund t’i shqyrtojmë amendamentet e Osmanit
Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Mandate dhe Imunitete në Kuvendi i Republikës së Kosovës, Përparim Gruda, ka deklaruar se amendamentet e propozuara nga Vjosa Osmani për zgjedhjen e presidentit drejtpërdrejt nga populli nuk mund të shqyrtohen nga komisioni.
Gruda tha se çështja ishte dërguar në Gjykata Kushtetuese e Kosovës në vitin 2011 dhe se tashmë kanë kaluar të gjitha afatet për trajtimin e saj.
“Shtatë ditë mas vendimit të Gjykatës Kushtetuese duhet të mblidhet Komisioni. Pra, kështu e thotë rregullorja. Të nderuar kolegë, më lejoni t’ju informojë se ne jemi pothuajse 14 vite pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për amandamentet kushtetuese. Për shkak se, amandamentet që na janë sjellë, janë ato që janë propozu në vitin 2011 dhe në 2012 Gjykata ka vendosë për atë. Pra kemi kalu cdo afat të shqyrtimit të atyre amandamenteve. Prandaj, komisioni sot mendoj që nuk mund të shqyrtohë amandamente kushtetuese të cilat kanë kaluar testin e Gj. Kushtetuese, një pjesë e tyre, jo të gjitha – një dekadë e më shumë përpara. Sepse, rregullorja e thotë duhet shtatë ditë mas vendimit të Gj. Kushtetuese. Nuk mundemi më shumë se 1 dekadë mbrapa ”, ka thënë Përparim Gruda.



