“Njerëz me qëllime të rrezikshme”, ja si i përgjigjet Kurti deklaratës së Osmanit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë konferencës për media të mbajtur sot në mëngjes tha se u detyrua të shpërndajë Kuvendin dhe të shpallë zgjedhje të reja, si pasojë e dështimit të Kuvendit për ta kryer detyrën e vet.
E para e shtetit madje tha se “këtu e sollën vendin njerëz të papërgjegjshëm e me qëllime të rrezikshme”.
Gazetarët e kanë pyetur në konferencë për media Kurtin për këtë deklaratë të Osmanit.
Por, ai është përgjigjur duke thënë se “Nëse zonja presidente nuk ka përmendur emra, nuk e di se pse iu shkon mendja tek unë. Nëse flasim për njerëz të përveçëm, nuk e di nëse jam përmendur aty, nëse keni të drejtë, duhet ta kërkoni përgjigjen tek ata që e thanë. Krejt në fund mendoj se të papërgjegjshëm kanë qenë ata që munguan mbrëmë”.
Ai ka përmendur se në sallë mbrëm kanë qenë të pranishëm 66 deputetë, ndërsa 54 munguan, duke shtuar se këta të fundit, sipas tij, e kanë shkelur Kushtetutën pasi nuk dhanë asnjë arsye për mungesën.
Kurti ka thënë se institucionet e shtetit ndërtohen mbi mirëbesim dhe se do të ishte e kuptueshme nëse deputetët do të jepnin një arsye për mungesën e tyre, duke përmendur si shembull edhe ndonjë mospajtim me Glauk Konjufcën.
“Ne ishim 66 në sallë që do të thotë 54 mungonin, këta 54 e kanë shkel kushtetutën, nuk kanë treguar se pse mungojnë. Do të ishte e kuptueshme të thonë “sepse kemi problem me Glauk Konjufcën”, nuk dhanë asnjë arsye. Shteti institucionet ndërtohen me mirëbesim. Të ndjehesh se nuk ke nevojë të arsyetohesh për mungesë tashmë je jashtë. Para lëndës së Dekretit është një lëndë që është dërguar mbrëmë”, tha ai./Periskopi



