“Ose e imja, ose e vdekur”, bilanci tragjik në Maqedoninë e Veriut, 26 gra të vrara në pesë vjet
“Ose e imja, ose e vdekur”, ishte vetëm një nga dhjetëra mesazhet kërcënuese që 31-vjeçarja Rosica Koçeva kishte marrë pak ditë para se ish-partneri i saj, Ilija Stefanovski, ta vriste atë bashkë me babain e saj pranë shtëpisë së tyre në Veles. Ky është rasti më i fundit i femicidit në Maqedoninë e Veriut, i dokumentuar edhe nga policia.
Rosica i kishte denoncuar disa herë dhunën dhe kërcënimet e vazhdueshme të ish-partnerit, jo vetëm ndaj saj, por edhe ndaj prindërve dhe shoqeve të saj, por rasti i saj asnjëherë nuk ishte marrë seriozisht nga institucionet.
Para kryerjes së aktit, vrasësi Ilija Stefanovski u ndëshkua vetëm me dënim me kusht dhe masë ndalese për t’iu afruar, të cilën nuk e kishte respektuar. Pas vrasjes së dyfishtë, ai vrau edhe veten.
Ky mbetet një prej shumë rasteve që ngrenë pikëpyetje mbi reagimin institucional ndaj thirrjeve të grave për ndihmë.
Për pesë vjet, 26 gra të vrara
Rosica është vetëm një prej gjithsej 6 grave të vrara në Maqedoni gjatë vitit 2025. Pesë gra u vranë në vitin 2024.
Dy prej tyre kishin bërë paraprakisht denoncim për dhunë në familje.
Viti 2023 ka qenë më i rëndi sa i përket vrasjes së grave, me gjithsej 9 viktima. Tri prej rasteve lidhen me dhunën në familje.
Në renditjen e Eurostatit për vitin 2023, Maqedonia e Veriut ishte ndër shtetet me shkallën më të lartë të femicideve në Evropë, me 6 femicide për një milion banorë, dhe renditej e treta pas Lituanisë dhe Letonisë.
Në vitin 2022 u vranë dy gra, ndërsa në vitin 2021 u regjistruan katër raste të vrasjes së grave.
Maqedonia ndër shtetet e para në rajon që e njeh femicidin ligjërisht
Vrasja e një gruaje nuk nënkupton domosdoshmërisht femicid. Që një rast të kualifikohet si i tillë, është e nevojshme të vërtetohet se vrasja lidhet me gjininë, përkatësisht se gruaja është vrarë për shkak të të qenit grua.
Përkundër faktit që termi “femicid” nuk përdoret në Kodin Penal, në vitin 2023 neni 123 u plotësua me paragrafin 2-a, me të cilin u sanksionua vrasja e një gruaje ose vajze deri në moshën 18 vjeçe “si pasojë e dhunës me bazë gjinore”.
Për shkak se kjo nuk ka qenë e rregulluar, nuk dihet saktësisht sa prej vrasjeve të grave kualifikohen si femicid. Aktualisht Rrjeti Kombëtar Kundër Dhunës në Familje po analizon të gjitha gjykimet dhe vendimet që lidhen me vrasjen e grave nga viti 2014 deri në vitin 2023 dhe pritet të publikojë një raport që do të ofrojë një pasqyrë më të qartë mbi natyrën e këtyre rasteve.
Për DW përfaqësues të kësaj organizate thanë se gjatë viteve të lartpërmendura në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 40 tentativa për vrasjen e grave, ndërsa 75 gra janë vrarë.
Maqedonia dështon në parandalimin e rasteve të femicidit
Marta Gusar, avokate e cila ka përfaqësuar shpesh gra, viktima të dhunës në familje, thekson se problemi mbetet parandalimi.
“Problemi kyç në shtetin tonë është se femicidi nuk parandalohet. Kur ndodh femicidi, tashmë është tepër vonë. Konventa e Stambollit është dokumenti nga i cili buron parandalimi. Institucionet duhet ta njohin dhunën në bazë gjinore, ta kuptojnë femicidin dhe ta adresojnë problemin në mënyrë sistematike,” thotë Gusar.
Vrasja e grave mbetet shqetësuese
“Statistikat tregojnë se numri i femicideve është i lartë, veçanërisht për një shtet me përmasa si i Maqedonia. Dhe pyetja nëse ky fenomen po trajtohet mjaftueshëm seriozisht në praktikë, për fat të keq, merr përgjigje negative pikërisht për shkak të këtyre shifrave,” thotë Gusar.
“Mjafton të merrni vrasjen e Rosicës, kjo ngjarje tragjike tregoi edhe njëherë se problemi thelbësor qëndron në parandalimin e pamjaftueshëm dhe në moskuptimin e dhunës me bazë gjinore”, shton avokatja Gusar.
Dhuna ka forma të ndryshme
Sipas aktivisteve për të drejtat e grave është e domosdoshme që të gjithë profesionistët që trajtojnë raste të dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje të trajnohen për të identifikuar të gjitha format e dhunës, përfshirë atë psikologjike, sociale dhe ekonomike, e jo vetëm dhunën fizike.
Kjo pasi shpesh, në momentin kur gratë raportojnë dhunën, përballen me dekurajim në stacionet e policisë. Ka raste kur atyre u është thënë se nuk posedojnë mjaftueshëm dëshmi, madje edhe kur kallëzimet përmbanin elementet e veprës penale “rrezikim i sigurisë”.
Kapacitete të pamjaftueshme në strehimore
Një sfidë tjetvr janë kapacitetet e strehimoreve për viktimat e dhunës, që në Maqedoni vazhdojnë të jenë të pamjaftueshme. Sipas të dhënave zyrtare numri i shtretërve arrin vetëm 37 për qind të kapacitetit që shteti duhet të sigurojë sipas numrit të banorëve. Nga gjithsej 67 shtretër në nivel vendi, 19 menaxhohen nga organizata joqeveritare./DW



