Macron thirrje Iranit: Ndërpritni menjëherë sulmet dhe hapni Ngushticën e Hormuzit
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i ka kërkuar Iranit të ndalë menjëherë sulmet në Lindjen e Mesme dhe të garantojë lirinë e lundrimit duke hapur Ngushtica e Hormuzit për trafikun detar ndërkombëtar.
Kjo kërkesë erdhi gjatë një bisede telefonike që Macron zhvilloi me presidentin iranian Masoud Pezeshkian.
Në një postim në rrjetin social X, Macron theksoi se është e domosdoshme që Irani të ndalojë menjëherë sulmet ndaj vendeve të rajonit, duke nënvizuar gjithashtu rëndësinë e garantimit të lundrimit të lirë dhe të sigurt në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare për tregtinë globale të energjisë.
Presidenti francez rikujtoi gjithashtu se një prioritet absolut për Francën mbetet siguria dhe riatdhesimi i çiftit francez Cécile Kohler dhe Jacques Paris, të cilët kanë qenë të burgosur në Iran dhe aktualisht ndodhen në oborrin e Ambasadës së Francës, ka transmetuar Panorama.
Po ashtu, Macron shprehu shqetësimin e Francës për programet bërthamore dhe balistike të Iranit, si edhe për aktivitetet që, sipas tij, destabilizojnë rajonin e Lindjes së Mesme.
Sipas presidentit francez, të dy liderët ranë dakord të mbajnë kontakte të vazhdueshme për zhvillimet në rajon.



