Aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të KEDS`it në Ferizaj për marrje ryshfeti

Aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të KEDS`it në Ferizaj për marrje ryshfeti

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë kundër dy zyrtarëve të KEDS-it në Ferizaj, B.B., dhe E.K., për shkak të dyshimit të se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Pranimi i ryshfetit në sektorin privat”.

Sipas aktakuzës, të pandehurit i kanë kërkuar viktimës A.H. 400 euro në mënyrë që të përshpejtojnë procedurën për vendosjen e njehsorit elektrik në lokalin e tij në fshatin Sojevë. Ndryshe, vendosja e tij do të vonohej në periudhë prej pesë ditësh.

“Sipas aktakuzës së Prokurorisë, më datë 25 Shkurt 2026, rreth orës 14:30, në Ferizaj, rruga, ‘Dëshmorët e Kombit’, përkatësisht në Kompaninë Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike në Kosovës – KEDS, i pandehuri B.B., në cilësinë e koordinatorit të njësisë së kontrollit në Departamentin për humbje të energjisë elektrike, dhe i pandehuri E.K., në cilësinë e ushtruesit të detyrës së koordinatorit për lidhje të reja, gjatë ushtrimit të detyrave të tyre, në mënyrë të drejtpërdrejtë i kanë kërkuar shumën prej 400 Euro të dëmtuarit A.H., me qëllim që të përshpejtojnë procedurën për vendosjen e njehsorit elektrik në lokalin e tij në fshatin Sojevë, duke i bërë me dije se në të kundërtën vendosja e njehsorit elektrik do të vonohej për një periudhë prej pesë deri në gjashtë muaj”, thuhet në njoftim.

Bëhet e ditur se pas zbatimit të masave të veçanta hetimore, të pandehurit janë kapur dhe arrestuar në flagrancë nga ana e Policisë së Kosovës dhe me këto veprime në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Pranimi i rryshfetit në sektorin privat”.

Shpërndaje në: