SHOK alarmon: Papunësimi i onkologëve të rinj ngadalëson trajtimin e pacientëve me kancer

SHOK alarmon: Papunësimi i onkologëve të rinj ngadalëson trajtimin e pacientëve me kancer

Shoqata e Onkologëve të Kosovës (SHOK) shprehu shqetësim të thellë për gjendjen e shërbimeve onkologjike në vend, duke theksuar se mungesa e specialistëve të rinj po ndikon drejtpërdrejt në trajtimin e pacientëve me sëmundje malinje.

SHOK theksoi se numri i pacientëve me kancer po rritet çdo vit, ndërsa disa specialistë të rinj të onkologjisë, të trajnuar për vite me radhë me investim të madh publik dhe personal, mbeten pa mundësi punësimi në institucionet shëndetësore.

“Çdo specialist i papunësuar përfaqëson një mundësi të humbur për diagnostikim më të shpejtë, trajtim më të personalizuar dhe përmirësim të përgjithshëm të kujdesit për pacientët me sëmundje malinje në Kosovë”, thuhet në komunikatën e Shoqatës.

Sipas SHOK, kimioterapia dhe radioterapia kryesisht ofrohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), gjë që shton presionin mbi sistemin shëndetësor dhe shpesh sjell vonesa në trajtimin e pacientëve.

Shoqata theksoi se punësimi i specialistëve të rinj do të zgjeronte kapacitetet e shërbimeve onkologjike, do të përmirësonte qasjen e pacientëve në terapi dhe do të reduktonte kohën e pritjes për trajtim. Derisa shoqata bëri thirrje që institucionet përgjegjëse të krijojnë mundësi për integrimin sa më të shpejtë të këtyre profesionistëve në sistemin shëndetësor publik.

Shpërndaje në: