Periudha 3-javore e masës së përkohshme të Kushtetueses vlerësohet e gjatë

Periudha 3-javore e masës së përkohshme të Kushtetueses vlerësohet e gjatë

Afati prej tri javësh që Gjykata Kushtetuese ka për të marrë vendim mbi çështjen e presidentit dhe dekretin e Vjosa Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit është konsideruar i gjatë. Nga Gjykata është kërkuar shpejtësi e efikasitet në vendimmarrje për shkak të pasojave që mund të prodhojë situata aktuale

Tri javë kohë sa ia ka lënë Gjykata Kushtetuese vetes që të marrë vendim lidhur me çështjen e presidentit dhe dekretin për shpërndarjen e Kuvendit, janë shumë sa u përket pasojave që mund të prodhohen, ka vlerësuar juristi Korab Sejdiu.

Sejdiu ka theksuar se nga Gjykata kërkohet efikasitet në vendimmarrje, pasi me masën e përkohshme janë lënë pezull dy shtylla të shtetit, Kuvendi dhe Presidenca.

Ai ka thënë se cilido që të jetë vendimi, ai duhet të merret brenda disa ditësh dhe kjo urgjencë në vendimmarrje, sipas tij, duhet ta ketë bazë edhe për pezullimin e punës së Kuvendit.

“Afati i masës së përkohshme nuk e prejudikon doemos vendimin meritor që mund ta marrë Gjykata Kushtetuese. Mirëpo, nëse e marrim si të mirëqenë faktin që shpesh ndodh që vendimi të lëshohet shumë më afër datës së masës së përkohshme, atëherë qëndrimi im dhe këshilla është që puna e gjykatës të jetë më efikase në këtë rast. Rrethanat në të cilat aktualisht gjendemi si shtet dhe faktin që kemi dy shtylla të pushtetit të cilat aktualisht janë të mbajtura pezull me këtë masë shihet qartë që është e domosdoshme që vendimi i Gjykatës Kushtetuese, përkatësisht aktgjykimi të jetë i kryer brenda disa ditëve e jo disa javëve”, ka thënë Sejdiu.

Pesë projektligje, njëri prej tyre për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme janë paraparë nga Qeveria që Kuvendit t’i përcillen për miratim më së largu deri në fund të muajit mars.

Por, së paku deri atëherë Kuvendi, që është shpërndarë me dekret, do të jetë jofunksional, meqë në fuqi do të jetë masa e përkohshme e Gjykatës Kushtetuese.

Vendimi i Kushtetueses mund t’ia kthejë funksionalitetin Kuvendit për së paku 60 ditë ose ta dërgojë vendin në zgjedhje.

Analisti politik, Artan Muhaxhiri, ka vlerësuar se është për keqardhje që Gjykata Kushtetuese është bërë adresa e vetme që zgjidh ngërçet politike.

“Për fat të keq, Gjykata Kushtetuese është bërë adresa e vetme e politikanëve tanë të cilët dështojnë që të sillen në mënyrë normale, që të bëjnë kompromise, që të bëjnë marrëveshje tipike politike, edhe për këtë arsye tashmë edhe nënkuptohet që të gjitha bllokadat do t’i zgjidhë Gjykata Kushtetuese. Ky është një delegim i kompetencave politike drejt kësaj gjykate dhe është shumë zhgënjyese që partitë politike, liderët politikë, nuk e kanë as vullnetin më të vogël, as guximin, as dijen që me sjellje politike, me kulturë politike t’i tejkalojnë këto bllokada”, ka thënë Muhaxhiri.

Në vendimin për masën e përkohshme, Gjykata ka theksuar se ndalohet çdo veprim i presidentes në lidhje me Dekretin që e ka nxjerrë dhe gjithashtu çdo veprim i Kuvendit të Kosovës deri më 31 mars.
Presidentja Osmani nxori dekret për shpërndarjen e Kuvendit, pasi Kuvendi në ditën e fundit të afatit kushtetues dështoi të zgjedhë presidentin.

Mandati i Osmanit si presidente përfundon më 4 prill.

Shpërndaje në: