Draft-raporti për 2025: Kosova kritikohet për korrupsionin, politizimin e institucioneve dhe lirinë e mediave
Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, ka përpiluar draft-raportin për Kosovën për vitin 2025, i cili përfshin zhvillimet politike, sundimin e ligjit, ekonominë, korrupsionin, dialogun me Serbinë dhe procesin e integrimit evropian të vendit, shkruan Periskopi.
Në raport theksohet se Kosova nuk ka shënuar përparim të dukshëm në luftimin e korrupsionit.
“Shpreh shqetësim për përparimin e kufizuar në luftën kundër korrupsionit në përgjithësi; vëren me shqetësim rënien e Kosovës në Indeksin Global të Korrupsionit për vitin 2025, ku renditet në vendin e 76-të nga 182 shtete dhe territore, tre vende më poshtë se në vitin 2024, duke përmbysur një prirje të mëparshme të përmirësimit gradual”, thuhet mes tjerash në raport.
Raporti gjithashtu ngre shqetësime për vonesat në zbatimin e reformave në sistemin e drejtësisë.
“Mbetet i shqetësuar për zbatimin e kufizuar të strategjisë për sundimin e ligjit dhe për mungesën e vazhdimësisë në zbatimin e reformave, për përbërjen e paplotë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës, si dhe për vonesat në zbatimin e reformave në drejtësi”, thuhet në raport.
Tutje raporti përmend edhe përpjekjet e pushtetit për politizimin e institucioneve të pavarurar, si presioni ndaj Komisonit Qendror të Zgjedhjeve.
“Shpreh keqardhje për përpjekjet e vazhdueshme për politizimin e institucioneve të pavarura, përfshirë presionin ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dhe për mangësitë në qeverisje brenda Komisionit të Pavarur të Mediave”, thuhet në raport.
Pjesë tjetër në raport i është kushtuar edhe lirisë së mediave.
Edhe pse në raport theksohet se Kosova ka një peizazh mediatik pluralist, aty shprehen shqetësime për rënien e vendit në indeksin global të lirisë së mediave.
“Vëren se Kosova ka një peizazh mediatik pluralist, por shpreh keqardhje për mungesën e progresit në sigurimin e lirisë së shprehjes; shpreh gjithashtu keqardhje që renditja e Kosovës për lirinë e mediave ka rënë me 24 vende, në vendin e 99-të në Indeksin Botëror të Lirisë së Mediave për vitin 2025” – thuhet në raport.
Dokumenti po ashtu shpreh shqetësim për sigurinë e gazetarëve dhe kërkon reagim më të fuqishëm institucional ndaj kërcënimeve dhe sulmeve ndaj tyre.
“Përsërit shqetësimin për sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve dhe punonjësve të mediave dhe bën thirrje për reagim më të mirë nga prokuroria”- thuhet në draft-raport.
Te mediat, draft-raporti përmend edhe krizën financiare të transmetuesit publik, RTK.
“Thekson nevojën për të siguruar financim të qëndrueshëm dhe pavarësi për transmetuesin publik; bën thirrje për mbikëqyrje të balancuar dhe përfaqësuese të Radio Televizionit të Kosovës, transmetuesi publik i Kosovës”, thuhet në raport.
Raportin e plotë mund ta lexoni KËTU



