Ministri i sportit i Iranit: Ata vranë liderin tonë, nuk ekzistojnë kushte të luajmë në Kupën e Botës

Ministri i sportit i Iranit: Ata vranë liderin tonë, nuk ekzistojnë kushte të luajmë në Kupën e Botës

Ministri i sportit i Iranit raportohet se ka dhënë sqarime të reja nëse vendi do të marrë pjesë në Kupën e Botës 2026, mes konfliktit mes SHBA-ve, Izraelit dhe Iranit në Lindjen e Mesme.

Më 28 shkurt, një sulm i përbashkët i SHBA-së dhe Izraelit vrau udhëheqësin suprem të Iranit, Ali Khamenei, i cili që atëherë është pasuar nga djali i tij, Mojtaba Khamenei.

Pas sulmit ndaj Iranit, vendi u përgjigj duke lëshuar sulme hakmarrëse drejt vendeve fqinje si Izraeli, Katari, Kuvajti, Bahreini, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara, Omani dhe Qipro.

Shqetësime mbeten edhe për pjesëmarrjen e kombëtares së meshkujve të Iranit në Kupën e Botës, pasi skuadra aktualisht është planifikuar të zhvillojë të tre ndeshjet e grupit, kundër Egjiptit, Belgjikës dhe Zelandës së Re.

Të mërkurën, presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, shpjegoi se ishte takuar me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, i cili insistoi se skuadra është e mirëpritur të marrë pjesë në turneun e kësaj vere, raporton Telegrafi, transmeton Periskopi.

Megjithatë, sipas raportimit të mediumit suedez Expressen, ministri i sportit i Iranit, Ahmad Donyamali, ka sugjeruar se Irani nuk do të marrë pjesë në Kupën e Botës 2026.

“Pasi qeveria e korruptuar vrau liderin tonë, nuk ekzistojnë kushtet që na lejojnë të marrim pjesë në Kupën e Botës”, tha ai.

Kupa e Botës 2026 do të nisë më 11 qershor, me Meksikën që do të presë Afrikën e Jugut në ndeshjen hapëse.

Ndeshja e parë e Iranit është planifikuar të zhvillohet kundër Zelandës së Re më 16 qershor në Inglewood, Kaliforni./Periskopi/

Shpërndaje në: