Refuzoi gjuhën shqipe, BDI dhe ASH kërkojnë dorëheqjen e kryetarit të Kushtetueses

Refuzoi gjuhën shqipe, BDI dhe ASH kërkojnë dorëheqjen e kryetarit të Kushtetueses

Partitë shqiptare kanë reaguar ashpër ndaj deklaratës së kryetarit të Gjykatës Kushtetuese Darko Konstadiovski.

Sipas këtij të fundit SMS-porositë për kundërvajtje duhet të jenë vetëm maqedonisht dhe anglisht, por jo edhe shqip.

Nënkryetari i BDI-së Arbër Ademi kërkon dorëheqjen e tij menjëherë.

“Më tepër se dy vite, kryetari i Gjykatës Kushtetuese nuk sillet si kryetar i atij organi, por edhe disa gjyqtarë të tjerë. Prej formimit të kësaj qeverie vërehet një tendencë e qartë nacionaliste dhe e pa bazuar në argumente juridike. Deklarata e tij e djeshme është vetëm shpërfaqje të asaj tendence që e ka formalizuar edhe në shumë vendime të tjera me çka ka rrënuar marrëdhëniet ndëretnike në vend. Prandaj, dorëheqja e tij është e domosdoshme, një çast e më parë ai dhe të tjerët që mendojnë si ai”, tha Arbër Ademi, Nënkryetar i BDI-së.

Gjykata Kushtetuese refuzoi edhe dy iniciativat e paraqitura nga deputetët e Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela dhe ajo e Arben Taravarit.

Deputeti Elmi Aziri tha se qëndrimet e disa gjykatësve kushtetues janë të sinkronizuar me qarqet politike anti-shqiptare, të cilët kanë urrejtje për shqipen.

“Jemi në një situatë paradoksale dhe absurde që atë të cilën ta lejon kushtetuta nuk është e rregulluar me ligj, ajo që operacionalizohet me ligj në hapat e mëtutjeshme kontestohet nga instancat tjera. Ajo që është rregulluar me ligj dhe nuk është e rregulluar me kushtetutë e konteston kushtetuta, pra kemi një ngërç ashtu siç e kishin rastin e Ligjit për përfaqësim të drejt e adekuat dhe rastin për përdorimin e gjuhës shqipe dhe ky rasti fundit për ‘Safe City’. Fatkeqësisht shprehet një gatishmëri për ta rikthyer mendësinë e ndërtimit të shteti të kohës së pluralizmit të viteve 90-ta”, u shpreh Elmi Aziri, Deputet i ASH-së së Selës

Nga VLEN thonë se deklaratat e Kostadinovit janë të ulëta dhe rrënojnë edhe më tepër besueshmërinë e sistemit të drejtësisë në vend. Kreu i grupit parlamentar të VLEN-it Bekim Qoku tha se Kostadinov bëri deklarata shoviniste, të cilat nuk ishin për të mbrojtur Kushtetutën por për të thelluar edhe më tepër shkeljet ligjore që po bëhen për shqiptarët dhe gjuhën tonë amtare.

“Edhe shembujt që i mori simbolikat me kalin apo kur tha që të përdoret gjuha angleze sepse vijnë të huajt, janë të paqenësishme janë të pavërteta sepse ne nuk i kemi numrat e telefonit të të huajve në shtet ata nuk janë në listë të këtij sistemi ku janë të regjistruar numrat dhe e-mail e shtetasve tanë, janë të kota dhe të panevojshme deklaratat e tilla nacionaliste dhe mund të them shoviniste”, tha Bekim Qoku, Deputet i VLEN-it.

Iniciativat e rrëzuara të paraqitura nga ASH-ja e Selës dhe ASH-ja e Taravarit ngritën jo vetëm çështjen e gjuhës, por edhe çështjen e zbatimit selektiv territorial vetëm në qytetin e Shkupit, Tetovë, Kumanovës.

Vitin e kaluar kishte interpelancë të ngritur nga deputetët e BDI-së për shkarkimin e Kostadinovit nga kreu i Kushtetueses, por që ajo nuk o votua nga VMRO, VLEN dhe ZNAM as për tu futur në rend të ditës në Seancën 59.

Shpërndaje në: