Identifikimi i mbetjeve mortore merr deri në një vit kohë
Nuk dihet ende se kujt i përkasin mbetjet mortore që dyshohet se janë të viktimave të luftës në Kosovë e që janë gjetur dhjetorin e shkuar në një lokacion në Përzhin të Komunës së Rahovecit, mostrat e të cilave prej katër muajsh janë dërguar në Hagë për t’iu kryer analiza e ADN-së.
Shkaku që në Kosovë nuk kryhen analiza të tilla, gjetjet kockore të viktimave të dyshuara të luftës dërgohen në Komisionin Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur me seli në Hagë, ku ruhen edhe mostra referente të gjakut të familjarëve të personave të zhdukur.
Antropologu mjekoligjor, Valon Hyseni, ka thënë se periudha normale për kthimin e rezultateve është deri në tre muaj, teksa i ka shpjeguar edhe arsyet përse identifikimi i mostrave kockore mund të marrë edhe më shumë kohë.
“Prej momentit kur ne e marrim mostrën në laboratorin e antropologjisë dhe e dërgojmë në Hagë për analizë të ADN-së, realisht do të duhej të merrte kohë tre muaj, por ndonjëherë kjo periudhë mund të zgjatet për arsye se e dimë që kanë kaluar 26 vjet nga lufta dhe kockat me kalimin e kohës vijnë duke e humbur përbërjen e tyre anatomike, dëmtohen nga faktorët ambientalë, kërkohet edhe një herë të dërgohet mostra edhe të pritet pastaj derisa të vijë rezultati i ADN-së”, ka theksuar ai.
Varësisht nga kompleksiteti i mostrës, nxjerrja e rezultateve të ADN-së mund të marrë edhe gjashtë muaj e deri në një vit kohë.
Por anëtari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara, ka vlerësuar se pritjet e gjata për rezultate përbëjnë sfidë për institucionet vendore që merren me procesin e identifikimit të viktimave të luftës.
“Në aspektin e respektimit të së drejtës së familjes është pak më shqetësuese. Por gjithsesi edhe në punën profesionale të kolegëve të Institutit të Mjekësisë Ligjore, por ajo që është e rëndësishme është fakti që krejt çka është në kompetencë të mundësive të ekspertëve vendorë të Kosovës është duke u adresuar në mënyrë imediate”, ka theksuar ai.
Gara ka vlerësuar gjithashtu se identifikimi i mostrave do të ndihmonte në orientimin e gërmimeve që do të mund të bëheshin në të ardhmen për gjetjen e viktimave të tjera të luftës.
“Mbetjet mortore që janë gjetur vitin e kaluar, përkundër që janë dërguar, jemi ende në pritje të rezultateve të ADN-së dhe do të ishte shumë e rëndësishme për të përcaktuar pastaj rrjedhën e vlerësimin apo të gërmimit në kuptimin se në cilën zonë ose cilën hapësirë do të duhej të ishin të fokusuar në kuptimin e gërmimeve të mëtutjeshme”, ka thënë ai.
Në fshatin Përzhin të Rahovecit janë gjetur mbetje mortore të të paktën tre personave gjatë dhjetor të shkuar, si dhe disa ditë më parë. Janë gjetur njashtu edhe disa mbetje kockore që dyshohet të jenë të viktimave të luftës, porse nuk dihet se sa personave mund t’u përkasin ato.
Gjatë vitit 2025 janë kryer gërmime në 33 lokacione, ku janë gjetur mbetje mortore të 22 personave.
Gati 27 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, ende llogariten rreth 1.600 persona të zhdukur me forcë.



