Paga e 13-të do të ‘shkrihet’ nga çmimet e larta
Paga e 13-të, që do të jepet për herë të parë këtë vit, nuk po shihet domosdoshmërisht si shtim i fuqisë blerëse.
Kjo, të paktën sipas sindikatave të punonjësve të sektorit publik, që janë përfituesit e vetëm të këtyre pagave.
Në kohën kur inflacioni në Kosovë ka shënuar rritje mesatare prej rreth 6 për qind, e kur së fundi janë shtrenjtuar edhe karburantet dhe dhe paralajmërohet mundësia e rritjes së tarifave të energjisë elektrike, kjo pagesë shtesë rrezikon të shpenzohet shpejt për nevojat e përditshme.
Sipas përfaqësuesve të punëtorëve, paga e 13-të është një ndihmë e mirëseardhur, por nuk mjafton për të përballuar krizën ekonomike dhe rritjen e vazhdueshme të çmimeve.
Madje, ata thonë se një rritje e përhershme e pagave do të ishte një zgjidhje shumë më efektive për qytetarët sesa një pagesë e vetme gjatë vitit.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, të Shkencës dhe të Kulturës, Rrahman Jasharaj, thotë për KosovaPress se realizimi i pagës së 13-të është një hap pozitiv, por ndikimi i saj do të jetë i kufizuar për shkak të rritjes së çmimeve.
“Është mirë që është bërë, më në fund. Pagën e 13-të e kemi pasur edhe në kontratën kolektive tonën dhe ndihemi mirë që pas sa viteve edhe po bëhet realitet. Mirëpo, në këtë kohë kur kemi ngritje të vazhdueshme të çmimeve, kjo do të jetë ndihmesë e vogël karshi ngritjes së çmimeve dhe konsideroj se më mirë do të ishte mbase të ngriteshin pagat, sepse ato do të ishin një ngritje e përhershme, kurse kjo është një, një ndihmë e një, e një momenti dhe do t’ju shkojë kolegëve të mi, që nga çerdhet deri në universitet, por edhe tërë sektorit publik, do t’ju shkojë në ngritje çmimesh, do të pajtohen, do t’i përballojnë më lehtë… Do ta humb efektin ajo, ajo paga e 13-të karshi gjithë atyre ngritjes së çmimeve dhe ngritjet që pritet të bëhen. Domethënë, është një ndihmesë, por jo, shumë domethënëse, ngase do do ta humb fuqinë karshi çmimeve që po ngritën vazhdimisht”, thotë Jasharaj.
Ndërkohë, Kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve, Muharrem Beka thotë se kjo pagesë e zbut sadopak situatën, por nuk mjafton për të përballuar shpenzimet mujore.
“Paga e 13 do të ekzekutohet me pagën e këtij muaji. Është një, e hyrë që sadopak e zbut situatën, mirëpo nuk e di sa do të jetë e kënaqshme, për shkak se jemi dëshmitarë se kohën e fundit kemi inflacion të ngritur, kemi ngritje të çmimeve. Mandej tash, së fundi, edhe i, siç pritet edhe i artikujve të tjerë, pas krizës globale që është. Për zjarrfikësit, është një shtesë, mirëpo nuk mjafton dhe nuk është e kënaqshme, sepse, zjarrfikësit e kanë një pagë kështu minimale dhe vështirë që të përballojnë shportën ose koston e muajit për të cilat kemi nevojë të gjithë”, thotë Beka.
Edhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës vlerëson se pagesa shtesë është e mirëseardhur, por nuk e zgjidh problemin kryesor.
Kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli, thotë se zgjidhja afatgjatë do të ishte rritja e vlerës së koeficientit të pagave, në mënyrë që të punësuarit të mund të përballojnë më lehtë koston në rritje të jetesës.
“Kjo paga e 13-të është e mirëseardhur për arsye se këto çmimet, domethënë janë ngritur. Mirëpo, shqetësimi ynë si BSPK është shumë i madh se ne duhet të ulemi edhe të diskutojmë për vlerën e koeficientit, për arsye se koeficienti është i ulët. Ndoshta për këto momente paga e 13-të është e mirëseardhur, mirëpo kjo është diskutuar edhe duhet të futet në marrëveshjen e përgjithshme kolektive… Duhet sa më shpejt të ulemi edhe të diskutojmë për vlerën e koeficientit. Vlera e koeficientit duhet të rritet, domethënë në atë masë që sot, sado kudo të zbutet kjo, ky inflacion që e kemi. Domethënë ky është inflacion marramendës që është shumë problem që të punësuarit në Kosovë ta mbyllin një muaj me pagat që i kanë, paga e 13-të është si një mbështetje. Po ne duhet të ulemi dhe të diskutojmë për vlerën e koeficientit… Në kuptimin njëvjeçar është e pamjaftueshme. Për një muaj mund të zbutet pak. Si po, e përkohshme. Mirëpo ne po flasim për çka do të bëjmë, domethënë për çmimet që janë duke u ngritur, ndërsa ne jemi, domethënë keq me pagat që i marrin të punësuarit në Kosovë”, thekson Hykolli.
Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit (IHÇK) në Kosovë ka shënuar rritje mesatare prej 6,0 për qind në muajin shkurt 2026, krahasuar me muajin shkurt të vitit 2025, ndërsa inflacioni mujor ishte 0,6 për qind krahasuar me janarin 2026, raporton KosovaPress.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, rritja vjetore e çmimeve është ndikuar kryesisht nga shtrenjtimi i disa grupeve të mallrave dhe shërbimeve, përfshirë shërbimet në lidhje me pajisjet personale të transportit (42,5%), biletat e fluturimeve (39,0%), si dhe furnizimi me ujë dhe shërbime të tjera që lidhen me vendbanimin (33,4%).
Po ashtu, kur jemi tek rritja e çmimeve, kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike KESCO ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji në Kosovë (ZRRE) rritje të çmimit deri në mbi 20 për qind të tarifave të energjisë elektrike për vitin 2026, kërkesë kjo duke u thirrur në rritjen e kostove operative dhe nevojën për sigurim të furnizimit të qëndrueshëm me energji.
Megjithatë, ZRRE pritet të shqyrtojë këtë kërkesë dhe do të marrë vendim nëse do ta pranojë apo jo.
Kujtojmë se në maj të vitit 2025 , ZRRE-ja kishte miratuar rritje të tarifave për 16.1 për qind krahasuar me vitin 2024.Ndërkohë, si pasojë e luftës mes SHBA-së e Izraelit me Iranin, për më shumë se dy javë edhe çmimet e karburantëve janë shtrenjtuar në rreth 1.5 euro nafta, dhe 1.3 benzina. /Kosovapress



