A është kaosi politik një strategji e qëllimshme e Vetëvendosjes?
Shkruan: Ismet Kryeziu
Në politikë, kaosi zakonisht shihet si pasojë e krizave, gabimeve ose paaftësisë për të qeverisur. Megjithatë, në disa raste ai mund të shndërrohet edhe në një strategji të qëllimshme politike.
Nëse vëzhgohet me kujdes evolucioni politik i Lëvizjes Vetëvendosje, krijohet përshtypja se përplasja dhe prodhimi i krizave nuk kanë qenë vetëm strategji politike opozitare, por pjesë e një filozofie më të gjerë politike.
Gjatë viteve në opozitë, kjo lëvizje ndërtoi identitetin e saj mbi kundërshtimin e rendit politik të krijuar para dhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Megjithatë, ajo që mbetet e paqartë është pse kjo logjikë nuk u transformua pasi kjo forcë politike erdhi në pushtet. Normalisht, opozita mobilizon përkrahje përmes konfliktit, ndërsa pushteti stabilizon përmes qeverisjes dhe institucioneve funksionale. Në rastin e Kosovës duket se kjo logjikë është përmbysur: konflikti, kriza institucionale e politike vazhdon edhe kur pushteti është në duart e kësaj lëvizje.
Një shembull domethënës i kësaj dinamike u pa pas zgjedhjeve të vitit 2025. Edhe pse Lëvizja Vetëvendosje fitoi mbi 41 për qind të votave dhe doli qartë si forca më e madhe politike, vendi nuk hyri në një proces normal të formimit të institucioneve. Në vend të përpjekjeve për të ndërtuar një koalicion qeverisës dhe për të stabilizuar sistemin politik, vendi mbeti për një kohë të gjatë në krizë institucionale dhe pa institucione të konsoliduara funksionale.
Paradoksalisht, kjo situatë u shndërrua në një avantazh politik për Vetëvendosjen. Gjatë kësaj periudhe, kriza u shoqërua me një narrativë politike që fajësonte partitë e tjera për bllokimin institucional. Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, kjo strategji rezultoi efektive: Vetëvendosje arriti të rrisë ndjeshëm rezultatin e saj elektoral, duke kaluar mbi 52 për qind të votave.
Megjithatë, as pas këtij rezultati të fortë elektoral nuk u krijua stabilitet i qëndrueshëm institucional. Mungesa e kompromisit politik për çështje kyçe, si zgjedhja e presidentit/es, po e mban vendin sërish në një klimë pasigurie dhe e po e shtynë vendin drejt një tjetër krize institucionale. Si pasojë, Kosova vazhdon të qeveriset nga një qeveri në detyrë, ndërsa vendi mbetet në pritje të një tjetër cikli zgjedhor. Në këtë mënyrë, vendi rrezikon të mbetet për një periudhë të gjatë në një gjendje ciklike krizash politike, me zgjedhje të parakohshme të njëpasnjëshme dhe me institucione që funksionojnë vetëm pjesërisht.
Nëse kjo gjendje analizohet si tërësi, krijohet përshtypja e një modeli më të gjerë përplasjesh që ushqen një klimë të përgjithshme pasigurie politike.
Së pari, përplasja zhvillohet brenda vetë sistemit politik dhe institucioneve të qeverisjes, ku krizat dhe tensionet institucionale janë bërë pjesë e zakonshme e jetës politike. Së dyti, ajo reflektohet në raportet ndërshqiptare dhe në hapësirën e shteteve fqinje, ku marrëdhëniet me faktorët politikë në Shqipëri dhe me shqiptarët në Maqedoninë e Veriut shpesh janë shoqëruar me rivalitete dhe tensione të panevojshme. Së treti, ky konflikt shtrihet edhe në dimensionin ndërkombëtar, në marrëdhëniet me aleatët dhe partnerët strategjikë të Kosovës.
Kështu krijohet një lloj trekëndëshi përplasjesh — brenda shtetit, në hapësirën shqiptare në shtetet fqinje dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare — i cili, në vend që të prodhojë stabilitet politik, duket se ushqen vazhdimisht një klimë krize dhe pasigurie.
Kjo sjell në mënyrë të pashmangshme një pyetje më të thellë: a është ky kaos rezultat i rrethanave politike, apo një strategji e qëllimshme? Për mendimin tim, më shumë sesa rrethanat politike që po prodhojnë këtë situatë në vend, është vetë strategjia politike e Lëvizjes Vetëvendosje që po krijon këto rrethana. Një shoqëri që jeton në krizë të vazhdueshme dhe një sistem politik që duket i paaftë për stabilitet krijojnë terrenin për një narrativë të rrezikshme: se vetë shteti është i brishtë dhe se rendi ekzistues institucional nuk funksionon.
Në këtë mënyrë, kaosi mund të shërbejë si mjet për të delegjitimuar sistemin dhe për të promovuar rrugën për projekte të reja politike që premtojnë ta rindërtojnë atë nga fillimi. Sepse nëse kaosi shndërrohet në strategji, atëherë rreziku më i madh nuk është vetëm kriza e përkohshme politike, por normalizimi i saj si mënyrë funksionimi e shtetit.



