Përshkallëzohet lufta Iran-Izrael: Sulme në Liban dhe Teheran, tensione në gjithë rajonin

Përshkallëzohet lufta Iran-Izrael: Sulme në Liban dhe Teheran, tensione në gjithë rajonin

Konflikti mes Iranit, ShBA-së dhe Izraelit po përshkallëzohet më tej, me sulme të reja ajrore në Bejrut dhe Teheran, ndërsa tensionet janë përhapur në të gjithë Lindjen e Mesme.

Sipas raportimeve, avionët izraelitë kanë goditur disa zona në jug të Libanit, përfshirë periferitë e Bejrutit, ndërsa ushtria izraelite konfirmoi sulme të reja edhe në kryeqytetin iranian.

Ndërkohë, sulmet me raketa dhe dronë vijojnë në rajonin e Gjirit, ku Katari, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kuvajti raportojnë se kanë neutralizuar disa sulme ajrore.

Në Abu Dhabi, një person humbi jetën nga mbetjet e një rakete të interceptuar, ndërsa në Bagdad raportohen të paktën katër viktima pas shpërthimeve pranë ambasadës amerikane.

Autoritetet saudite njoftuan se kanë rrëzuar mbi 12 dronë në lindje të vendit, ndërsa incidente të ngjashme janë raportuar edhe në Katar dhe Kuvajt.

Në terren, sulmet izraelite në jug të Libanit kanë shkaktuar viktima dhe zhvendosje të popullsisë, ndërsa disa goditje dyshohet se kanë pasur në shënjestër figura specifike.

Nga ana tjetër, Irani ka ashpërsuar retorikën ndaj SHBA-së, duke deklaruar se përfundimi i luftës do të vendoset në fushëbetejë dhe jo përmes deklaratave politike.

Ndërkohë, Garda Revolucionare Islamike raportoi viktima civile, përfshirë fëmijë, pas sulmeve në territorin iranian.

Konflikti, që nisi më 28 shkurt, po zgjerohet me shpejtësi në disa fronte dhe po rrit frikën për një përplasje më të gjerë rajonale dhe pasoja të rënda për sigurinë globale.

Shpërndaje në: