Trump: Besoj se do të kem nderin të marr kontrollin e Kubës

Trump: Besoj se do të kem nderin të marr kontrollin e Kubës

Donald Trump pret të ketë “nderin e marrjes së Kubës”, deklaroi ai, pasi një bllokadë e imponuar nga SHBA-të ndaj naftës e zhyti vendin në errësirë nën një ndërprerje totale të energjisë elektrike.

Presidenti amerikan pretendoi të hënën se mund të bënte “çfarëdo që të dojë” me Kubën, mes negociatave të SHBA-së me Havanën mbi të ardhmen e vendit, transmeton Telegrafi.

“E dini, gjithë jetën time kam dëgjuar për Shtetet e Bashkuara dhe Kubën. Kur do ta bëjnë Shtetet e Bashkuara këtë”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë të hënën.

“Unë besoj se do të kem nderin të marr Kubën. Nëse e çliroj, e marr – mendoj se mund të bëj çfarëdo që të dua me të. Ju doni ta dini të vërtetën. Ata janë një komb shumë i dobësuar tani”, shtoi Trump.

Menjëherë pasi foli ai, New York Times raportoi se zyrtarët amerikanë i thanë Kubës të largonte presidentin e saj, Miguel Díaz-Canel, nga pushteti gjatë bisedimeve të fundit, duke cituar katër burime të paidentifikuara të njohura me diskutimet.

SHBA-të kanë kërkuar të intensifikojnë presionin ndaj Kubës, armikut të saj të hershëm, që kur rrëzuan presidentin venezuelas, Nicolás Maduro – bamirësi më i rëndësishëm i huaj i Kubës – në janar.

Trump ndërpreu dërgesat e naftës venezuelase në Kubë dhe kërcënoi të vendoste tarifa për çdo vend që shiste naftë në Kubë, duke e mbytur rrjetin e saj të vjetëruar të energjisë.

Rrëzimi i Díaz-Canel nga pushteti do të rrëzonte një figurë kyçe, ndërsa do të linte në vend regjimin shtypës komunist që ka drejtuar Kubën për gati shtatë dekada.

Kuba tradicionalisht ka hedhur poshtë çdo ndërhyrje në punët e saj të brendshme, dhe ka konsideruar çdo propozim në këtë front si një prishës të çdo marrëveshjeje.

Marco Rubio, Sekretari i Shtetit i SHBA-së dhe bir i emigrantëve kubanë, e ka bërë të qartë prej kohësh se dëshiron ndryshim regjimi në Havanë.

Trump gjithashtu ka bërë thirrje për një “marrje miqësore të pushtetit”, por kohët e fundit u tha gazetarëve: “Mund të mos jetë një marrje miqësore e pushtetit”.

Që kur rrëzoi Maduron nga pushteti në janar dhe iu bashkua Izraelit në sulmin ndaj Iranit, Trump ka folur hapur se Kuba do të jetë “e radhës”.

Díaz-Canel, 65 vjeç, i cili pasoi të ndjerin Fidel Castro dhe vëllain e tij Raúl Castro si president në vitin 2018, tha të premten se priste që bisedimet me SHBA-në të zhvilloheshin “sipas parimeve të barazisë dhe respektit për sistemet politike të të dy vendeve, sovranitetit dhe vetëvendosjes”. /Telegrafi/

Shpërndaje në: