KFOR`i në Bondsteel prezantoi pajisje për zbulimin dhe neutralizimin e dronëve
Pjesëtarët e KFOR-it nga Komanda Rajonale Lindje organizuan në kampin Bondsteel një demonstrim të kapaciteteve për luftimin e sistemeve ajrore pa pilot (CUAS), për zyrtarë të lartë ushtarakë të kësaj komande.
Siç është bërë e ditur nga KFOR-i, gjatë ngjarjes u prezantuan pajisjet dhe kapacitetet që përdoren për zbulimin dhe reagimin ndaj mjeteve ajrore pa pilot, ndërsa qëllimi i aktivitetit ishte gjithashtu forcimi i ndërveprueshmërisë ndërmjet forcave shumëkombëshe që marrin pjesë në këtë mision.
Ata shtuan se pjesëtarët e KFOR-it vazhdojnë të monitorojnë situatën e sigurisë dhe të kontribuojnë në stabilitetin në të gjithë rajonin.
“Ky aktivitet pasqyron gjithashtu përkushtimin e vazhdueshëm të KFOR-it për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë”, thuhet nga misioni i NATO-s në Kosovë.
Edhe këtë herë theksuan se KFOR-i vazhdon të punojë në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.
“Për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe në lirinë e lëvizjes në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme, KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si forca të sigurisë”, thuhet nga KFOR-i.



