Baton Zabërgja ftohet nga Kosova për ndeshjen vendimtare ndaj Sllovakisë

Baton Zabërgja ftohet nga Kosova për ndeshjen vendimtare ndaj Sllovakisë

Klubi ukrainas, Metalist 1925 ka njoftuar se sulmuesi Baton Zabërgja është ftuar nga Kombëtarja e Kosovës për ndeshjen ndaj Sllovakisë këtë muaj.

Kosova do të luajë në udhëtim te Sllovakia më 26 mars në kuadër të ndeshjes play-off për kualifikim në Kupën e Botës.

Për këtë ndeshje shumë të rëndësishme për Dardanët tashmë kanë filluar të shkojnë edhe ftesat në drejtim të lojtarëve.

Njëri nga të ftuarit e parë është sulmuesi vushtrrias Baton Zabërgja, me njoftimin që ka ardhur nga klubi i tij ukrainas, Metalist 1925.

“Sulmuesi i “Metalista 1925”, Baton Zabergja, është thirrur në ekipin kombëtar të Kosovës për ndeshjen e playoff-it të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026”.

“Në gjysmëfinalet e playoff-it më 26 mars, Kosova do të luajë jashtë fushe me Sllovakinë, dhe tashmë më 31 mars, varësisht nga rezultati, mund të ndeshet me dikë nga çifti i kombëtareve Turqi/Rumani”, thuhet në njoftimin e klubit ukrainas. 

Shpërndaje në: