I denoncuar për keqpërdorime dhe nën hetime: Bislim Bislimi drejt rikthimit në krye të Arkivave, ndëshkohet sinjalizuesi
I denoncuar për keqpërdorim të detyrës dhe i raportuar në organet e hetuesisë, Bislim Bislimi po synon të rikthehet në krye të Arkivave, ndërsa sinjalizuesi që ngriti dyshimet është pezulluar, shkruan Gazeta Metro
Një rast që ngre pikëpyetje serioze për funksionimin e institucioneve publike në Kosovë lidhet me rikthimin e mundshëm të Bislim Bislimit në krye të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, pavarësisht se ndaj tij ka pasur denoncime për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe ai është subjekt i trajtimit nga organet kompetente.
Sipas burimeve brenda Agjencisë Anti-korrupsion, Bislimi, aktualisht Sekretar i Përgjithshëm, pritet të rikthehet në pozitën e Drejtorit Ekzekutiv të Arkivave, pozitë të cilën e kishte ushtruar më parë për rreth dy vite, periudhë kjo që shoqërohet me dyshime për menaxhim të dyshimtë të projekteve dhe fondeve publike.
Denoncimet ndaj tij janë bërë nga brenda institucionit
Zyrtari i Arkivave, Gjon Gegaj, në një shkresë zyrtare drejtuar institucioneve dhe ministres përkatëse, ka raportuar për shkelje të rënda ligjore, përfshirë manipulim të proceseve të prokurimit, ndikim në komisione dhe favorizim të kompanive të caktuara.
Sipas tij, pas denoncimit në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit dhe në Policinë e Kosovës, ai është përballur me masa ndëshkuese. Me urdhër të drejtpërdrejtë të Bislimit, Komisioni Disiplinor ka marrë vendim për pezullimin e tij nga puna, një veprim që ngre dyshime për hakmarrje institucionale ndaj sinjalizuesve.
“Unë i kam njoftuar organet përgjegjëse për hetimin e korrupsionit… për përfshirje direkte në procese të dyshimta dhe abuzim të parasë publike”, thuhet në shkresën e tij.
Sipas Gegajt, reagimi ka qenë i menjëhershëm dhe i drejtpërdrejtë nga vetë i denoncuari.
“Pas sinjalizimit… z. Bislim Bislimi i jep urdhër Komisionit Disiplinor për veprime të menjëhershme ndaj meje… dhe nxjerr vendim për pezullim nga detyra pa asnjë provë relevante”.
Ai thekson se në vend që të hetohen pretendimet, është ndëshkuar personi që i ka ngritur ato.
“Në vend të veprimit ndaj personave të apostrofuar… goditet personi i cili sinjalizon e denoncon rastet abuzive”.
Në shkresë pretendohet për një kontroll të plotë mbi proceset brenda Arkivave, nga prokurimi deri te konkurset.
“Bislim Bislimi në koordinim me Shpresa Mekaj dhe Bekim Aliu kontrollojnë çdo gjë në Arkivin e Kosovës, nga digjitalizimi deri tek konkurset. Kontrata ka qenë 3 vjeçare, ndërsa vetëm pas 1 viti e gjysmë i japin 30% punë shtesë… pa pasur urgjencë reale”.
Sipas tij, janë ushtruar edhe presione mbi stafin për të rritur normat e punës jashtë çdo standardi.
“Zyrtarët janë detyruar të punojnë nga 700 deri 1200 dokumente në ditë… jashtë çdo norme, me qëllim që kompania ta përfundojë tenderin më shpejt”.
Ai pretendon se kjo është bërë për përfitime të drejtpërdrejta financiare.
“Që kompania të mos paguaj punëtorë dhe të marrë fitimin nga përfundimi para kohe i kontratës”.
Në fund të shkresës, Gegaj i bën thirrje ministres që të ndërhyjë dhe të ndalë, siç e quan ai, padrejtësinë.
“Shpresoj ta ndaloni hakmarrjen ndaj zyrtarëve me integritet… dhe ta përmbysni njëherë e fortë të keqen që e ka kapluar këtë institucion. Rikthimi i tij godet rëndë përpjekjet kundër korrupsionit dhe dërgon mesazh se sinjalizuesit nuk janë të mbrojtur”.
Kurse, në dokumentin e siguruar nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, theksohet qartë se çdo veprim që synon pengimin e raportimit apo ndëshkimin e sinjalizuesve është i paligjshëm dhe i dënueshëm.
Po ashtu, ligji parasheh se sinjalizuesi nuk është i detyruar të provojë vërtetësinë e informacionit të raportuar, duke e mbrojtur atë nga presioni dhe ndëshkimi.
Pavarësisht këtyre zhvillimeve dhe faktit që rasti është në trajtim nga organet hetimore, burimet tregojnë se po bëhen përpjekje që Bislimi të rikthehet sërish në Arkiv, për të vazhduar projektet e nisura, përfshirë ato të digjitalizimit dhe investimeve të tjera kapitale.
Në denoncim përmenden edhe raste konkrete të dyshuara, si dhënia e punëve shtesë në vlerë prej 30% të kontratës për një kompani të caktuar, përfundimi i parakohshëm i projekteve për të rritur përfitimet, si dhe ndikimi në konkurse dhe emërime brenda institucionit.
Shkresat dhe komunikimi zyrtar nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit
Çdo veprim i dëmshëm ndaj sinjalizuesit është i pavlefshëm.
Gjithashtu sipas nenit 9, paragrafi 1:
“Çdo veprim ose mosveprim që synon pengimin e raportimit apo shpalljes në interes publik, është i pavlefshëm dhe zyrtari përgjegjës apo cilido person tjetër në rastet përkatëse ndiqet penalisht sipas dispozitave penale në fuqi në Kosovë”.
Paragrafi 3 i nenit 9: Sinjalizuesi nuk është i detyruar të provojë mirëbesimin dhe vërtetësinë e informacionit të sinjalizuar.
Andaj si përfundim, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit e njeh statusin e sinjalizuesit të Gjon Gegaj për këtë situatë.
Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, me shqetësim të thellë ka pranuar njoftimin dhe reagimin tuaj të shpejt për dërgimin në komision disiplinor të Gjon Gegaj, për këtë çështje.
Përmes këtij emaili ne ju bëjmë thirrje që të reflektoni karshi dispozitave ligjore dhe të eliminoni çdo veprim të dëmshëm ndaj sinjalizuesit, duke mos ndërhyrë te organet kompetente për trajtimin e pretendimeve të ngritura.
Presim përgjigje lidhur me këtë çështje.
Me respekt!
Pretendimet si të tilla tashmë më 26.12.2025, janë përcjellë në Policinë e Kosovës, përkatësisht te Drejtoria për Hetime të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion.
Gjithashtu këto pretendime sipas korrespondencave të përcjella tek ne, shihet se është njoftuar Policia e Kosovës, për thirrjen tuaj për hetime lidhur me këto çështje.
Sipas Nenit 22 të ligjit të lartcekur ceket se: Sinjalizuesi mbrohet nga çdo veprim i dëmshëm i marrë ndaj tij nga punëdhënësi për shkak të sinjalizimit në pajtim me dispozitat e këtij ligji, duke përfshirë por pa u kufizuar në:
1.1. shkarkimin nga puna;
1.2. pezullimin nga puna ose të një ose më shumë detyrave;
1.3. transferimin brenda ose jashtë institucionit publik ose subjektit privat pa pëlqimin e tij;
1.4. uljen në pozitë;
1.5. zvogëlimin e pagës;
1.6. humbjen e statusit dhe privilegjeve;
1.7. mosngritjen në pozitë;
1.8. heqjen e të drejtës për të marrë pjesë në trajnime;
1.9. vlerësime negative në marrëdhënien e punës;
Të nderuar,
Lidhur me situatën e ngritur dhe për qëllim të informimit tuaj, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ju njofton si në vijim:
Ligji me Nr. 06/L-085 për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, ka përcaktuar:
Neni 3, pika 1.1. Sinjalizues – çdo person i cili raporton ose shpalos informacione për një kërcënim ose cenim të interesit publik në kontekstin e marrëdhënies së vet të punës në sektorin publik ose privat.
Neni 18, paragrafi 1, pika 1.1: Sinjalizuesi mund të bëjë sinjalizim të jashtëm pasi ka kryer sinjalizimin e brendshëm apo drejtpërdrejtë sinjalizim të jashtëm, në rastet kur:
1.1. sinjalizimi ka të bëjë me drejtuesin e punëdhënësit;
Zyrtari Gjon Gegaj, ka sinjalizuar për disa pretendime të njëjta gjatë muajit dhjetor 2025, pranë Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit.
Neni 18, paragrafi 3: Agjencia kundër Korrupsionit shqyrton rastet e sinjalizimit që bien në fushëveprimin e vet.
Nëse Agjencia kundër Korrupsionit nuk ka kompetencë për të vepruar, e përcjell pa vonesë informatën tek autoriteti kompetent, si dhe e informon sinjalizuesin për një veprim të tillë./gazetametro.net
Shkresat zyrtare nga Agjencia Anti-Korrupsion

Shkresë zyrtare e Gjon Gegajt për dyshime për shkelje ligjore:






