Ushtrimet që lehtësojnë dhimbjen dhe ato që e përkeqësojnë artritin
Dhimbja, ënjtja dhe ngurtësia mund të kontrollohen me aktivitet fizik të duhur. Ja cilat ushtrime rekomandohen dhe cilat duhet t’i shmangni për të mbrojtur nyjat
Artriti është sëmundje kronike që, edhe kur kontrollohet, mund të vështirësojë aktivitetet e përditshme. Dhimbja mund të shfaqet edhe gjatë veprimeve të thjeshta, si larja e dhëmbëve apo mbyllja e një kopse. Mjekët theksojnë se artriti nuk shërohet plotësisht, por me terapi bashkëkohore farmakologjike dhe jofarmakologjike mundëson jetë normale. Aktiviteti fizik i përshtatshëm është një nga mënyrat kryesore të kontrollit të sëmundjes.
Pse janë të rëndësishme ushtrimet te artriti?
Ekzistojnë mbi 100 lloje artriti, dhe lëvizja ndihmon në shumicën e tyre, si në osteoartrit, artritin reumatoid dhe gjendje kronike si fibromialgjia.
Artriti prek sipërfaqet artikulare dhe shkakton ënjtje, ngurtësi dhe dhimbje. Ushtrimet nxisin qarkullimin dhe shpërndarjen e lëngut sinovial, i cili “lubrifikon” nyjat, ushqen kërcin dhe lehtëson lëvizjen, thotë fizioterapeuti Joseph Davis.
Format më të shpeshta janë: osteoartriti, artriti reumatoid, artriti psoriatik, artriti juvenil dhe gihti.
Ushtrimet ndikojnë edhe në shëndetin mendor
Ushtrimet forcojnë muskujt, mbajnë peshën trupore dhe ulin ngarkesën mbi nyja. Pesha e shëndetshme redukton rrezikun për diabet dhe sëmundje kardiovaskulare.
Ato përmirësojnë edhe mirëqenien psikologjike, personat që ushtrojnë rregullisht janë më pak ankthiozë.
Artriti nuk duhet të jetë pengesë për aktivitet fizik, por kërkon kujdes dhe përzgjedhje të duhur të ushtrimeve, transmeton Telegrafi.
Ushtrimet më të mira/më të këqija për artritin
Ushtrimet e shtrirjes, aktivitetet me ngarkesë të ulët dhe forcimi gradual janë bazë e programit.
Ushtrimet më të mira:
• Ecja
• Noti dhe ushtrimet në ujë
• Biçikleta
• Shtrirje, joga, pilates
• Ngritje e lehtë peshash
• Tai chi
Ushtrimet që duhen shmangur:• Lëvizje të përsëritura me përkulje dhe rrotullim
• Aktivitete me intensitet të lartë (vrapim, kërcime)
• HIIT dhe CrossFit
• Ngritje e peshave të rënda
• Shtrirje të tepruara
Si të ushtrojmë me artrit?
Rekomandohet bashkëpunim me mjekun dhe fizioterapeutin për plan individual. Filloni gradualisht. Ushtrimet me intensitet të moderuar këshillohen 3–5 herë në javë.
Për shembull, nisni me ecje të shpejtë 10 minuta, disa herë në javë, dhe rriteni gradualisht. Dhimbja e lehtë muskulore që zgjat deri në një ditë është normale.
Me pesha, zgjidhni ngarkesë që mund të përsëritet 10 herë, ku përsëritjet e fundit janë më të vështira.
Përdorni ngrohjen
Ngrohja para ushtrimeve (peshqirë të ngrohtë ose jastëkë ngrohës 15–20 minuta) ndihmon në relaksimin e muskujve dhe përmirësimin e qarkullimit.
Përdorni akull pas ushtrimeve
Ftohja 10–15 minuta në zonat e dhimbshme redukton ënjtjen dhe përshpejton rikuperimin. Dëgjoni trupin dhe siguroni pushim kur është e nevojshme.
Ndërprisni ushtrimet dhe konsultohuni me mjekun në rast marramendjeje, të fikti ose rrahjesh të çrregullta të zemrës. Nëse dhimbja zgjat disa ditë, ngarkesa ka qenë e tepërt, thekson Davis.
Ekspertët theksojnë se nuk ka shërim përfundimtar për artritin. Ushtrimet janë shtyllë e rëndësishme e trajtimit, por nuk zëvendësojnë terapinë medikamentoze. Qëllimi është përmirësimi i funksionit të nyjave, kontrolli i simptomave dhe ruajtja e aktivitetit të përditshëm./Periskopi



