EWB: Draft-raportet e PE për Kosovën dhe Serbinë theksojnë krizat politike në të dyja vendet
Draft-raportet mbi Kosovën dhe Serbinë iu prezantuan dje anëtarëve të Komitetit për Punë të Jashtme (AFET) të Parlamentit Europian.
European Western Balkans (EWP) raporton se dokumentet identifikojnë kriza të thella politike, si në Prishtinë ashtu edhe nw Beograd dhe u bëjnë thirrje palëve të rifillojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.
Ndër të tjera, draft-raporti mbi Serbinë thotë se ritmi i reformave të lidhura me BE-në në Serbi është ngadalësuar ndjeshëm, veçanërisht në fushat e sundimit të ligjit dhe demokracisë.
Ndërkaq, për draft-raportin vjetor të Riho Terras, raportuesi i PE-së për Kosovën, vëren se viti 2025 “ishte një vit i humbur” për të, për shkak të krizës politike të vazhdueshme.
Terras theksoi se “Kosova ishte në paralizë të plotë politike, gjë që pati pasoja edhe për procesin e reformave”.
“Është për të ardhur keq që pasiguria dhe bllokada politike kanë ngadalësuar ndjeshëm reformat e nevojshme që Bashkimi Europian pret nga aplikantët, të cilat janë gjithashtu qartësisht jetësore për vetë vendin. Ka qartësisht fusha në të cilat Kosova ka bërë regres të ndjeshëm gjatë vitit të kaluar”, vërejti ai në prezantimin në AFET.
Dokumenti vëren gjithashtu se dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja midis Kosovës dhe Serbisë nuk ka qenë i frytshëm.
“Dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit, i cili ka nisur për të gjetur një kompromis të pranueshëm për palët, për fat të keq, nuk ka dhënë rezultatet e pritura. Dialogu ishte në thelb joaktiv gjatë vitit 2025. Kjo ndodhi edhe për shkak se Kosova nuk kishte një qeveri me mandat dhe kompetenca të plota, ndërsa negociatat në këtë formë nuk kanë perspektivë”, thuhet në të.
Draft-raporti vëren se Komisioni Evropian, Parlamenti Europian dhe shtetet anëtare të BE-së duhet të bëjnë gjithçka për të siguruar që dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit të vazhdojë me energji të përtërirë, raporton ky medium.
Për më tepër, ai theksoi rëndësinë e angazhimit konstruktiv nga autoritetet e Kosovës dhe Serbisë për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme për normalizimin, e cila “duhet të bazohet në njohjen reciproke dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”.
Dokumenti gjithashtu u bën thirrje pesë shteteve anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës “të lëvizin drejt njohjes, duke i mundësuar Kosovës të përparojë në një bazë të barabartë me kandidatët e tjerë”.
Gjithashtu, ai mbështet kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Europian, në Këshillin e Europës dhe për integrim në NATO. Këto qëllime vlerësohen si dëshmi e orientimit të palëkundur strategjik të Kosovës drejt integrimit euroatlantik.
“Gjendja e demokracisë dhe sundimit të ligjit është përkeqësuar në Serbi”
Në debatin pas prezantimit të draft-raportit për Serbinë, eurodeputetët vunë në dukje prapambetjen e vendit në fushat që lidhen me sundimin e ligjit dhe i bënë thirrje Komisionit Europian të rishikojë fondet e Planit të Rritjes të alokuara për vendin.
Tonino Picula, Raportuesi i PE-së për Serbinë, deklaroi se pavarësisht faktit që Serbia e kishte shpallur anëtarësimin në BE si qëllimin e saj strategjik, “angazhimet e marra në praktikë nuk sollën rezultate”.
Ai kujtoi se Serbia vendosi të mos marrë pjesë në samitin BE-Ballkani Perëndimor, ndërsa mori pjesë në një paradë ushtarake në Moskë.
Picula vuri në dukje se legjislacioni zgjedhor ka mangësi serioze, si dhe se është e qartë se pa ndryshime strukturore dhe zbatim të plotë të të gjitha rekomandimeve të ODIHR-it, zgjedhjet e ardhshme nuk mund të jenë të drejta.
Për më tepër, ai vlerësoi se ndryshimet në ligjet kryesore gjyqësore “përfaqësojnë një hap prapa të papranueshëm në procesin e pranimit dhe një goditje të rëndë për pavarësinë e gjyqësorit”.
Draft-raporti, shkruan EWP, dënon fuqimisht masat represive dhe përdorimin e tepërt të forcës dhe dhunës policore kundër protestuesve, si dhe arrestimet arbitrare dhe ngacmimet sistematike të opozitës, aktivistëve, shoqërisë civile dhe gazetarëve.
“Qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë llogari për korrupsionin e përhapur sepse duan transparencë. Ata kanë të drejtën e lirisë së shprehjes, sundimit të vërtetë të ligjit dhe reformave demokratike… Ka pasur një goditje shqetësuese dhe të vazhdueshme ndaj lirisë dhe autonomisë akademike, e dukshme përmes presioneve financiare, administrative dhe të tjera mbi komunitetin akademik”, theksoi Picula.
Ai kujtoi se roli i Parlamentit Europian nënkupton gjithashtu mbikëqyrjen e buxhetit dhe fondeve të Bashkimit Europian, duke përfshirë ndarjen e fondeve nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
“Është e diskutueshme se si kjo ngecje dhe kthim prapa i Serbisë në rrugën e BE-së është plotësuese e pagesave nga Plani i Rritjes”, vërejti Picula.
Sipas tij, situata e medias në Serbi “është e frikshme në nivele të shumëfishta”.
“Unë dënoj fuqimisht përshkallëzimin e sulmeve dhe frikësimin e gazetarëve që e kthen vendin në disa kohë të zymta… Liria e shprehjes është nën presion në rritje, ndërsa REM nuk ka funksionuar për një kohë të gjatë… Përpjekjet për të eliminuar mediat e tjera të pavarura po forcohen… Fatkeqësisht, fushatat e shpifjes dhe dezinformimi toksik vazhdojnë të dominojnë në Serbi”, vuri në dukje Picula.



