Haradinaj: Kurti ka larguar Autostradën e Dukagjinit nga mbështetja financiare, kjo qeveri ndalon projektet që mundësojnë zhvillim
Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka akuzuar qeverinë e Albin Kurtit, duke thënë se kjo e fundit ‘’ka vendosur ta largojë nga mbështetja financiare’’, projektin e autostradës së Dukagjinit.
Haradinaj ka shtuar se, projekti në fjalë kishte ndikim në ekonomi, turizëm dhe zhvillim rajonal, dhe se, kjo çështje është çështje prioritetesh, e jo buxheti, përcjell Express.
‘’ Sepse çdo projektim i përfunduar është bazë për investim, për ndërtim dhe për zhvillim konkret. Heqja e mbështetjes financiare nënkupton shtyrje të projektit, humbje kohe dhe humbje mundësish për qytetarët e Dukagjinit’’, ka thënë Haradinaj mes tjerash.
I pari i AAK’së, ka thënë edhe se qeveria Kurti ndalon projektet që mundësojnë zhvillimin ekonomik.
Postimi:
Në Qeverinë Haradinaj, projektimi i Autostradës së Dukagjinit ka qenë një hap konkret drejt realizimit të një prej projekteve më të rëndësishme zhvillimore për Kosovën.
Por, në vend që ky projekt të shtyhej përpara, Qeveria Kurti ka vendosur ta largojë nga mbështetja financiare, duke e lënë anash një proces që do të kishte ndikim të drejtpërdrejtë në ekonomi, turizëm dhe zhvillimin rajonal.
Kjo nuk është thjesht një çështje buxheti, është çështje prioritetesh.
Sepse çdo projektim i përfunduar është bazë për investim, për ndërtim dhe për zhvillim konkret. Heqja e mbështetjes financiare nënkupton shtyrje të projektit, humbje kohe dhe humbje mundësish për qytetarët e Dukagjinit.
Kjo autostradë do të lidhte Istogun, Pejën, Deçanin, Gjakovën, Rahovecin, Suharekën dhe Prizrenin në një korridor të vetëm ekonomik. Do të ulte kostot për bizneset, do të rriste investimet dhe do ta kthente Dukagjinin në një zonë shumë më konkurruese.
Në vend të kësaj, kemi një qeveri që flet për zhvillim, por në praktikë ndalon projektet që e mundësojnë atë.
Pyetja është e thjeshtë: pse u largua nga financimi një projekt që i shërben drejtpërdrejt qytetarëve dhe ekonomisë së vendit?
Sepse qytetarët e Dukagjinit nuk kanë nevojë për arsyetime, ata kanë nevojë për këtë autostradë.



