Dogana e Kosovës pjesë e projektit të organizuar nga Komisioni Evropian
Dogana e Kosovës ka marrë pjesë në takimin e parë të Grupit të Projektit për Electronic Proof of Certificates (e-PoC), një nismë e organizuar nga Komisioni Evropian, që synon modernizimin e certifikatave EUR1.
Sipas njoftimit, ky takim përfaqëson një hap të rëndësishëm në avancimin e projektit e-PoC për formalitetin EUR1 në kuadër të Konventës PEM, duke trajtuar çështje kyçe që lidhen me zhvillimin legjislativ, modelimin e proceseve të biznesit, si dhe forcimin e sistemeve të bashkëpunimit administrativ dhe të licencimit elektronik në nivel të BE-së.
Në këtë proces, Dogana e Kosovës thekson se kontribuon aktivisht, duke sjellë ekspertizë të konsoliduar në fushën e proceseve dhe digjitalizimit, në funksion të thellimit të bashkëpunimit rajonal dhe evropian në sektorin doganor.
“Presim me interes vazhdimin e diskutimeve konstruktive, veçanërisht në drejtim të strukturimit të nën-grupeve të punës, ndarjes së përgjegjësive dhe zbatimit të ardhshëm të projektit në administratat pjesëmarrëse”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, Dogana e Kosovës ka shprehur mirënjohje të veçantë për Komisionin Evropian dhe ekipin e Programit të Doganave për organizimin dhe koordinimin e kësaj nisme të rëndësishme.



