Vrasja dhe plagosja në Majac të Podujevës: Krejt çfarë dihet deri më tani
Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e së dielës fshatin Majac të komunës së Podujevës, ku një person ka humbur jetën, ndërsa dy gra kanë mbetur të plagosura.
Viktima është Ilaz Brahimi, 45-vjeçar nga Obiliqi, ndërsa të plagosura kanë mbetur e dyshuara për kryerjen e aktit dhe gruaja e axhës së saj.
Thuhet se mes viktimës dhe të dyshuarës dyshohet të ketë pasur raporte, dhe bazuar në këto burime, ajo dhe tani i ndjeri ishin duke u fjalosur në oborrin e shtëpisë derisa ka ndërhyrë gruaja e axhës Miradije Gashi rreth 70 vjeçe e cila mbeti e plagosur.
Edhe e dyshuara kryesore Ardita Gashi rreth 30 vjeçe është gjetur e plagosur rëndë në kokë, pasi dyshohet se kishte tentuar t’i marrë jetën vetës me armë zjarri pas kryerjes së krimit.
Të plagosurat janë dërguar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku sipas drejtorit të Emergjencës, Naser Syla, gjendja e tyre është shumë e rëndë dhe jo stabile.
Ai ka bërë të ditur se të dy pacientet kanë pësuar lëndime nga arma e zjarrit, janë intubuar dhe po trajtohen me frymëmarrje të asistuar.
“Dy paciente gjinisë femërore, njëra e lindur më 1953, tjetra 31 vjeçare, janë sjellë nga autoambulanca e Podujevës, arsyeja lëndim me armë zjarri, gjendje shumë e rëndë dhe jo stabile, jonë kryer ekzaminimet e nevojshme në QE, të dy pacientet jonë të intubuara me frymëmarrje të asistuar, njëra është dërguar në sallë operative ku jonë duke punuar ekipet e Neurokirurgjisë dhe Anestezionit, gjendja e pacienteve shumë e rëndë”, u shpreh Syla.
Personi që mbeti i vrarë në Majac është nga Obiliqi, tragjedia ndodhi pas mosmarrëveshjes ne oborr
E dyshuara për vrasjen në Majac gjendet nga FIT e plagosur rëndë



