AAK çon letër në Ministri, kërkon urgjentisht lirimin e TVSH-së për derivatet dhe heqjen e akcizës për naftën

AAK çon letër në Ministri, kërkon urgjentisht lirimin e TVSH-së për derivatet dhe heqjen e akcizës për naftën

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka dorëzuar sot në Ministrinë e Tregtisë kërkesën për marrjen e “masave urgjente për përballimin e situatës ekonomike në vend dhe uljën e çmimit të naftës”.

Zyrtarët e kësaj partie, Besnik Tahiri dhe Albana Bytyçi dorëzuan në MINTI një letër ku kërkohen “masa të menjëhershme dhe konkrete”.

“Rritja e çmimit të naftës po ndikon drejtpërdrejt në të gjithë ekonominë, duke rritur kostot e transportit, prodhimit dhe furnizimit, si dhe çmimet e produkteve dhe shërbimeve. Si pasojë, fuqia blerëse e qytetarëve është në rënie dhe po krijohet një efekt domino që prek bizneset dhe konsumatorët. Mungesa e masave konkrete institucionale në këtë situatë mbetet shqetësuese për stabilitetin ekonomik. Në vend të politikave lehtësuese, po vërehen qasje që vështirësojnë operimin e bizneseve, ndërkohë që praktikat ndërkombëtare tregojnë nevojën për ulje të barrës fiskale, mbështetje të sektorëve kritikë dhe krijim të rezervave strategjike”, shkruan AAK-ja në letër.

Ky subjekt politik, si masë të parë kërkon “lirim të menjëhershëm të së paku 50% nga TVSH-ja për derivatet”.

“2. Heqja e përkohshme e akcizës për naftën deri në stabilizimin e tregut, që së bashku me TVSH do të ndikonte në uljen e çmimit për rreth 40 cent për litër; 3. Krijimi urgjent i një taskforce të përbashkët me Odën Ekonomike, Shoqatën e Naftëtarëve dhe shoqatat tjera relevante, në bashkëpunim me MINT dhe Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave; 4. Marrja me qira e deponive ekzistuese në 5–6 pika kryesore dhe krijimi i rezervave maksimale strategjike të naftës”, thuhet në letër.

Shpërndaje në: